Teksa tregu i mikrokredive në Shqipëri vazhdon të lëkundet nga pasojat e skandaleve të bujshme të mashtrimit ndërkohë që aktorët kryesorë të këtij sektori vijojnë të arkëtojnë fitime stratosferike.
Kompania ECFA, e njohur gjerësisht për publikun si Kredo, ka mbyllur vitin e kaluar me një fitim neto pas taksave prej 593.2 milionë lekësh ose 6.3 milionë euro, duke u renditur mes dy kompanive të mikrokredisë që aplikojnë normat më të larta të interesit në vend. Ppr edhe duke dëshmuar se modeli i biznesit të bazuar tek zhvatja e qytetarëve vijon të mbetet jashtëzakonisht fitimprurës.
Skandali i madh i MCA-së dy vite më parë dukej se do të trondiste përfundimisht themelet e këtij tregu të pakontrolluar, por realiteti tregon se strukturat e mikrokredive komerciale vazhdojnë të funksionojnë me të njëjtën filozofi grabitqare ku vetë ECFA e financon aktivitetin e saj me hua me interes rreth 13.5 për qind në vit të siguruara nga bankat, aksionerët ose përmes emetimit të obligacioneve, të cilat më pas jepen si kredi për qytetarët me interesa edhe më të larta.
Përballë denoncimeve të njëpasnjëshme për skema mashtruese dhe zhvatje të huamarrësve, Banka e Shqipërisë thotë se ka ndërhyrë disa herë për të vendosur fre dhe interesi maksimal mbi kredinë konsumatore u kufizua në 51.3%. Megjithatë, kjo shifër mbetet tejet e lartë dhe modeli i mikrokredive vijon të mbështetet te normat e kripura. Kjo qasje duket më shumë si një legalizim i fajdesë institucionale sesa si mbrojtje reale për konsumatorin, duke lënë të kuptohet se fitimet miliona euro të korporatave në kurriz të qytetarëve të zhytur në borxhe mbeten një nga plagët më të rënda të tregut financiar.

