Evropa Perëndimore ka përjetuar fillimin më të nxehtë të verës të regjistruar ndonjëherë, ndërsa temperaturat ekstreme dhe thatësira kanë krijuar kushte për zjarre masive dhe rënie të rrezikshme të niveleve të lumenjve. Sipas monitoruesit klimatik të Bashkimit Evropian, Copernicus, temperatura mesatare gjatë qershorit dhe korrikut arriti në 21.62 gradë Celsius, rreth 2.79 gradë mbi mesataren. Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në vitin 2022.
Por vala e të nxehtit nuk është kufizuar vetëm në tokë. Korriku ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë për oqeanet jopolare, me temperatura rekord në Atlantik dhe Mesdheun perëndimor.
Kontinenti po përballet ndërkohë me një tjetër valë të nxehti, ndërsa temperaturat pritet të rriten edhe më tej gjatë kësaj jave.
Zjarret djegin mbi 1.2 milion hektarë
Temperaturat e larta dhe thatësira kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, deri më 6 gusht janë djegur më shumë se 1.23 milion hektarë tokë, kryesisht në Spanjë, Francë dhe Itali.
Qindra mijëra persona janë detyruar të largohen nga zonat e rrezikuara, ndërsa tymi i zjarreve ka përkeqësuar cilësinë e ajrit në zona të gjera të kontinentit.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit dhe thatësirat më intensive. “Ndërsa tokat thahen, ato humbasin aftësinë për të siguruar ftohje natyrale, duke lejuar që nxehtësia të grumbullohet më lehtë”, tha Samantha Burgess, eksperte e klimës pranë Qendrës Evropiane për Parashikime të Motit Afatmesëm.
Lumenjtë në nivele rekord
Thatësira ka prekur edhe lumenjtë kryesorë të Evropës, mes tyre Danubin, Rinin dhe Senën. Nivelet e ujit kanë rënë ndjeshëm, duke krijuar probleme për transportin, furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë.
Në Hungari dhe Rumani, reaktorët bërthamorë të ftohur me ujin e Danubit u detyruan të ndalonin përkohësisht për shkak të niveleve të ulëta të lumit.
Në Budapest, Danubi ka zbritur në nivele jashtëzakonisht të ulëta, ndërsa në disa pjesë të Rinit situata ka shkaktuar shqetësime për transportin lumor.
Ekspertët paralajmërojnë se probleme të tilla mund të bëhen gjithnjë e më të zakonshme. “Menaxhimi i burimeve ujore do të bëhet gjithnjë e më sfidues”, paralajmërojnë shkencëtarët.
Ndërkohë, Evropa vijon të përballet me temperaturat ekstreme, zjarret dhe thatësirën, ndërsa parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit nuk ka përfunduar ende. Top Channel

