Ish-deputeti Pandeli Majko ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd për Kosovën, duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe ukrainasve dhe një foto të realizuar në parlamentin e Ukrainës. Majko ka publikuar një foto nga parlamenti ukrainas, të realizuar sipas tij në përvjetorin e agresionit rus, duke shpjeguar se qëllimi i saj ishte të tregonte pritjen që iu bë flamurit shqiptar nga të pranishmit.
“Kjo është një foto në parlamentin e Ukrainës në përvjetorin e agresionit rus! Ajo është një foto e realizuar nga salla, për të treguar kënaqësinë me të cilën u prit flamuri shqiptar nga të pranishmit!”, shkruan Majko.
Sipas tij, në atë ditë nuk kishte shumë delegacione të huaja, pasi kishte pasur informacione se godina e parlamentit në Kiev mund të goditej.
Duke iu referuar qëndrimit të fundit të Zelenskyt në Beograd, Majko e cilëson atë si një deklarim “konservativ”, por shprehet i bindur se kjo nuk ka ndryshuar perceptimin e ukrainasve për shqiptarët.
“Pavarësisht deklarimit ‘konservativ’ të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre!”, shkruan ai.
Majko thekson se marrëdhëniet mes dy popujve, sipas tij, nuk përcaktohen vetëm nga diplomacia zyrtare.
“Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga ‘protokollet e diplomacisë’!”, shprehet ish-kryeministri.
Ai e lidh këtë marrëdhënie edhe me historinë e diasporës shqiptare në Ukrainë, duke përmendur shqiptarët që kanë humbur jetën në mbrojtje të vendit.
“Kjo miqësi ndërlidhet me diasporën e vjetër shqiptare e cila ka pasur dëshmorët e vet për mbrojtjen e Ukrainës! Ajo vazhdon, sot, me vullnetarët shqiptarë me uniformë në krah të ushtrisë ukrainase!”, vijon Majko.
Në reagimin e tij, Majko bën edhe një dallim mes diplomacisë dhe marrëdhënieve të krijuara në kohë lufte.
“Lufta, për shqiptarët, i ndan miqtë nga armiqtë!”, shkruan ai, ndërsa shton se diplomacia është quajtur “arti i gënjeshtrës” për arsye shtetërore.
Në fund, Majko tregon se ka komunikuar me miqtë e tij ukrainas, të cilët, sipas tij, janë shprehur të shqetësuar për zhvillimet e fundit.
Ai sjell edhe një shprehje që, siç thotë, i ka pëlqyer veçanërisht: “Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje.” Top Channel

