Kur Banka Qendrore e Holandës konfirmoi javën e shkuar se kishte zhvendosur tonelata të rezervave kombëtare të arit nga Amerika e Veriut, shpjegimi ishte i drejtpërdrejtë: vendi do të jetë kështu “më i përgatitur për kriza serioze”. Rreth 86 tonë nga afro 313 tonë ar që Holanda mbante në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada janë zhvendosur në Londër për shkak të “rritjes së paqëndrueshmërisë gjeopolitike”, njoftoi banka. Synimi është që ari të jetë lehtësisht i disponueshëm në rast krize. LEXO edhe...Gjermani/ Sot zgjedhjet në landin e Saksoni-Anhalt-it, AfD drejt një fitoreje historike, por e djathta ekstreme mund të mbetet jashtë qeverisë Vendimi ngre menjëherë disa pyetje. Pse Holanda po e bën këtë tani? A po përgatitet për një goditje të madhe ekonomike? Sipas BBC-së, nuk ka shenja se autoritetet holandeze presin një krizë të caktuar. Lëvizja shihet më tepër si përgjigje ndaj një bote gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme. Konfliktet tregtare dhe ushtarake po i shtyjnë shtetet të marrin masa parandaluese dhe të rishikojnë vendet ku mbajnë rezervat e tyre të arit. Holanda nuk është e vetme. Franca njoftoi më herët këtë vit se kishte rikthyer në vend rezervat e saj të arit që mbaheshin në SHBA. Edhe Banka Qendrore e Gjermanisë, Bundesbank, gjatë një procesi disa-vjeçar të përfunduar në vitin 2016, zhvendosi nga jashtë vendit më shumë se 216 tonë ar: 111 tonë nga Nju Jorku dhe 105 tonë nga Parisi. “Nuk mendoj se po na kanoset ndonjë katastrofë” Zhvendosje të tilla nuk janë diçka e re. Në periudha pasigurie globale, bankat qendrore kanë vepruar në mënyrë të ngjashme edhe më parë. “Gjatë Luftës së Ftohtë, disa banka qendrore evropiane zhvendosën një pjesë të rezervave të tyre të arit në Nju Jork”, shpjegojnë analistët e Goldman Sachs, Lina Thomas dhe Dan Stryven. Joseph Cavatoni, strateg i lartë i tregjeve në World Gold Council, i tha BBC-së se luftërat dhe tensionet tregtare po ndikojnë në disa prej këtyre vendimeve, por nuk janë domosdoshmërisht arsyeja kryesore. Në vendimmarrje hyjnë edhe inflacioni, normat e interesit dhe nevoja që ari të mbahet në një treg ku mund të blihet ose shitet shpejt. “Nuk kam përshtypjen se po përballemi me ndonjë katastrofë të afërt. Mendoj se njerëzit po kuptojnë më mirë se si duhet të administrohen rezervat, si mund të rriten ato dhe si mund të përfitohet sa më shumë prej tyre”, tha Cavatoni. Pse ari holandez përfi në Londër? Ari që Banka Qendrore e Holandës largoi nga SHBA-ja dhe Kanadaja mes muajve mars dhe gusht tashmë ndodhet në kasafortat e Bankës së Anglisë në Londër. “Shpresojmë që të mos na duhet ta përdorim kurrë, por duhet të forcojmë aftësinë tonë për t'u përballur me krizat dhe të jemi të përgatitur”, deklaroi guvernatori i Bankës Qendrore holandeze, Olaf Sleijpen. Londra nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo është një nga qendrat më të mëdha në botë për tregtimin e arit. Në një situatë krize, nëse një bankë qendrore ka nevojë ta shesë ose të blejë shpejt ar, Londra ofron një nga tregjet më likuide në botë. Kjo është edhe arsyeja pse Banka e Anglisë është një nga vendet më të preferuara në botë për ruajtjen e rezervave të arit. Nën godinën rreth 300-vjeçare të bankës, në qendër të Londrës, ruhen rreth 400 mijë shufra ari, me një vlerë totale prej më shumë se 200 miliardë paundësh. Sipas studimeve të World Gold Council, Banka e Anglisë vazhdon të jetë vendi më i preferuar për ruajtjen e arit. Megjithatë, bankat qendrore po përpiqen gjithnjë e më shumë të mos i mbajnë rezervat në një vend të vetëm. Çështja se ku duhet të ruhet ari i një shteti po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për bankat qendrore, sipas analistëve të Goldman Sachs. Si zhvendosen dhjetëra tonë ar nga një shtet në tjetrin? Zhvendosja e rezervave nuk do të thotë domosdoshmërisht se kamionë apo avionë të ngarkuar me tonelata ari duhet të kalojnë Atlantikun. Holanda, për shembull, shiti rreth 59 tonë ar që mbante në Nju Jork dhe bleu një sasi të barabartë në Londër. Në këtë mënyrë, ari nuk kishte nevojë të transportohej fizikisht nga SHBA-ja në Britani. Por një pjesë e operacionit përfshiu edhe transport real. Më shumë se 27 tonë ar u transferuan fizikisht nga SHBA-ja dhe Kanadaja drejt qytetit holandez Zeist. Më pas, një sasi e ngjashme u dërgua nga Zeisti drejt Londrës. Kompanitë që kryejnë transporte të tilla japin shumë pak informacion mbi mënyrën se si realizohen operacionet. Për arsye sigurie, itineraret, mjetet dhe procedurat mbahen sekret, ndërsa planifikimi është jashtëzakonisht i rreptë për të shmangur çdo mundësi grabitjeje. Cavatoni shpjegon se mënyra më e thjeshtë mbetet shitja në një treg dhe blerja në një tjetër. “Të themi se dua ta kem arin tim në Nju Jork, por aktualisht ndodhet në Londër. Mund ta shes në Londër dhe ta blej në Nju Jork në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë. Praktikisht bëhet një transferim në letra, pa pasur nevojë ta lëvizësh fizikisht arin”, shpjegoi ai. Mbajtja e arit brenda vendit kushton Vetëm një numër i kufizuar kompanish janë të specializuara në transportimin ndërkombëtar të arit. Një prej tyre, Brink's Global Services, i tha BBC-së se vitet e fundit ka vënë re rritje të kërkesës nga klientë si bankat qendrore. “Rritja e pasigurisë gjeopolitike dhe ekonomike, së bashku me rolin gjithnjë e më të madh të arit si një rezervë strategjike, duket se po kontribuojnë në këtë tendencë”, deklaroi Nader Antar, drejtues i Brink's. Çështja se ku duhet të ruhet ari po bëhet edhe më e rëndësishme për një arsye tjetër: bankat qendrore po blejnë gjithnjë e më shumë ar. Megjithatë, rikthimi i tij në territorin kombëtar nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë apo më e lirë. Ruajtja e rezervave brenda vendit kërkon investime të mëdha në sigurinë fizike, sisteme kontrolli dhe auditimi, si dhe sigurime. Për bankat qendrore më të vogla, këto shpenzime mund të jenë tepër të larta në raport me sasinë e arit që zotërojnë. Kjo është arsyeja pse lëvizjet e fundit nuk duhen lexuar domosdoshmërisht si shenjë se Evropa po përgatitet për një katastrofë. Ato tregojnë, megjithatë, se në një periudhë luftërash, tensionesh tregtare dhe pasigurie ekonomike, vendet evropiane po rishikojnë jo vetëm sa ar duhet të kenë, por edhe ku duhet ta mbajnë atë. U.D/ReportTv.al lufta ne ukraine lufta ne lindjen e mesme gjermani france hollande bankat ar Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.9% Të gabuar 21% Nuk e di 4.1% Vota total: 4477 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?

