Banka Qendrore e Holandës ka zhvendosur rreth 86 tonë ar nga rezervat që mbaheshin në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, duke i transferuar në Londër për shkak të “rritjes së paqëndrueshmërisë gjeopolitike”. Nga rreth 313 tonë ar që Holanda kishte në Amerikën e Veriut, një pjesë tashmë ndodhet në kasafortat e Bankës së Anglisë. Guvernatori holandez Olaf Sleijpen deklaroi se synimi është që rezervat të jenë më të aksesueshme në rast krizash, ndërsa analistët theksojnë se nuk ka shenja se Holanda pret ndonjë katastrofë të afërt. Lëvizja shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të bankave qendrore për të menaxhuar rreziqet në një periudhë tensionesh ushtarake, tregtare dhe ekonomike.
Holanda nuk është e vetme në rishikimin e vendndodhjes së rezervave. Franca ka rikthyer një pjesë të arit të saj nga SHBA-ja, ndërsa Bundesbank përfi në vitin 2016 një proces gjatë të cilit zhvendosi mbi 216 tonë ar, përfshirë 111 tonë nga Nju Jorku dhe 105 tonë nga Parisi. Sipas strategëve të Goldman Sachs, Lina Thomas dhe Dan Stryven, bankat qendrore kanë ndërmarrë lëvizje të ngjashme edhe gjatë periudhave të tensioneve globale. Ndërsa Joseph Cavatoni, strateg i lartë në World Gold Council, tha se luftërat dhe konfliktet tregtare mund të ndikojnë në këto vendime, por në lojë janë edhe inflacioni, normat e interesit dhe nevoja për ta pasur arin në tregje likuide ku mund të shitet ose blihet shpejt.
Transferimi i arit holandez në Londër nuk nënkupton se të gjitha rezervat janë transportuar fizikisht. Holanda shiti rreth 59 tonë ar në Nju Jork dhe bleu një sasi të barabartë në Londër, ndërsa më shumë se 27 tonë u transportuan realisht nga SHBA-ja dhe Kanadaja drejt Holandës dhe më pas në Londër. Kryeqyteti britanik është një nga qendrat më të mëdha botërore të tregtimit të arit, ndërsa Banka e Anglisë ruan rreth 400 mijë shufra, me vlerë mbi 200 miliardë paund. Eksperti Cavatoni thekson se bankat qendrore mund të shmangin edhe transportin fizik përmes shitjes në një treg dhe blerjes në një tjetër, ndërsa rritja e pasigurisë gjeopolitike dhe ekonomike ka shtuar kërkesën për shërbime të tilla. Megjithatë, mbajtja e arit brenda territorit kombëtar ka kosto të larta për sigurinë, auditimin dhe sigurimin, ndaj vendimet e fundit nuk konsiderohen domosdoshmërisht si përgatitje për një katastrofë, por si përpjekje për të rritur fleksibilitetin e rezervave kombëtare.

