Kampi i Gjadrit Austria ka nisur rikthimin e azilkërkuesve drejt Italisë, ndërsa Gjermania dhe Zvicra po ndjekin të njëjtën rrugë. Me mijëra raste mund të prekin Italinë, por pyetja që lind edhe për Shqipërinë është nëse një pjesë e këtyre migrantëve mund të transferohen më pas në qendrat italiane të Gjadrit... Austria i është bashkuar Gjermanisë dhe Zvicrës në rikthimin drejt Italisë të azilkërkuesve për të cilët Roma konsiderohet përgjegjëse, pas hyrjes në zbatim më 12 qershor të rregullave të reja të Paktit Evropian për Migracionin dhe Azilin.
Ministria e Brendshme austriake ka bërë të ditur se katër persona janë transferuar tashmë në Itali. Sipas autoriteteve të Vjenës, rregullat e reja mundësojnë që në disa raste personit t'i sigurohet një biletë treni ose autobusi për t'u kthyer në shtetin që mban përgjegjësinë për shqyrtimin e kërkesës së tij për azil.
Komisioni Evropian konfirmon se sistemi i ri, në fuqi prej 12 qershorit 2026, parashikon procedura më të shpejta për përcaktimin e shtetit përgjegjës dhe për transferimin e azilkërkuesve që janë zhvendosur në mënyrë të paautorizuar nga një vend i BE-së në një tjetër.
Ky neologjizëm i referohet migrantëve të cilët, pasi mbërrijnë në një vend të BE-së, udhëtojnë në një shtet të dytë dhe atje aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare. Ky lloj lëvizjeje zakonisht ndjek rrugë nga Italia dhe Greqia drejt destinacioneve në Evropën Veriore. Megjithatë, sipas Traktatit të Dublinit (pra termi "Dubliners"), kërkesat për azil shqyrtohen nga vendi i hyrjes së parë: një kriter i riafirmuar nga marrëveshja e re që hyri në fuqi dy muaj më parë. Kjo është arsyeja pse Austria, Gjermania dhe Zvicra kanë rifilluar kthimin e migrantëve në Itali. Sipas Eurostat, gjatë vitit 2025 vendet e tjera evropiane i dërguan Italisë më shumë se 24 mijë kërkesa për marrjen ose rimarrjen e azilkërkuesve, numri më i lartë ndër vendet e BE-së. Megjithatë, numri i transferimeve të realizuara në praktikë ka qenë shumë më i ulët.
Për Shqipërinë, çështja merr rëndësi për shkak të marrëveshjes mes Tiranës dhe Romës dhe qendrës së Gjadrit.
A mund të përfjnë atje migrantët që Austria, Gjermania ose Zvicra ia rikthejnë Italisë?
Jo automatikisht.
Personat që rikthehen në Itali sipas rregullave evropiane të përgjegjësisë për azilin mbërrijnë sepse Italia duhet të shqyrtojë ose të rimarrë përgjegjësinë për kërkesën e tyre për mbrojtje ndërkombëtare. Ministria e Brendshme italiane parashikon që azilkërkuesit të vendosen në strukturat e pritjes gjatë shqyrtimit të kërkesës, ndërsa qendrat e riatdhesimit përdoren për personat që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë dhe ndaj të cilëve zbatohet një masë dëbimi.
Por pikërisht këtu hapet mundësia që Shqipëria të hyjë në skenar.
Italia ndryshoi ligjin në vitin 2025 duke zgjeruar kategoritë që mund të transferohen në qendrën e Gjadrit. Sipas Agjencisë së BE-së për Azilin, ndryshimi u lejon autoriteteve italiane të dërgojnë në Shqipëri edhe migrantë të parregullt që ndodhen tashmë në territorin italian dhe janë subjekt i një urdhri dëbimi.
Edhe dokumentet e Parlamentit italian sqarojnë se transferimi nga një qendër riatdhesimi në Itali drejt strukturës së Gjadrit nuk e ndërpret masën e ndalimit dhe as procedurën administrative të dëbimit.
Kjo do të thotë se një azilkërkues i kthyer nga Austria apo Gjermania nuk mund të dërgohet në Shqipëri vetëm sepse është rikthyer në Itali. Por nëse kërkesa e tij për azil refuzohet, ai humbet të drejtën për të qëndruar dhe autoritetet italiane nxjerrin një urdhër dëbimi, atëherë ai mund të hyjë në kategorinë e personave që potencialisht mund të transferohen në Gjadër.
Në fakt, Gjykata e Drejtësisë e BE-së po shqyrton pikërisht çështje që lidhen me persona të cilët ishin ndaluar në Itali në pritje të dëbimit dhe më pas u transferuan në qendrën e Gjadrit. Çështjet gjyqësore tregojnë se përdorimi i qendrave shqiptare për këtë kategori është tashmë pjesë konkrete e politikës italiane, megjithëse ligjshmëria dhe garancitë procedurale vazhdojnë të jenë objekt shqyrtimi në nivel evropian.
Avokatët e Përgjithshëm të Gjykatës së BE-së kanë vlerësuar gjatë vitit 2026 se vendet anëtare mund të përdorin struktura ndalimi edhe jashtë territorit të Bashkimit, por vetëm duke respektuar plotësisht të drejtat dhe garancitë që parashikon ligji evropian. Këto opinione nuk janë vendime përfundimtare të Gjykatës.
Prandaj, rikthimi i mijëra migrantëve drejt Italisë nuk do të thotë se mijëra persona do të dërgohen në Shqipëri. Mes dy proceseve ekziston një hap juridik vendimtar: azilkërkuesi duhet të mos ketë më të drejtë qëndrimi dhe të jetë objekt i një procedure dëbimi ose riatdhesimi.
Megjithatë, nëse rikthimet nga vendet e Evropës Veriore rriten ndjeshëm dhe një pjesë e këtyre kërkesave për azil përfjnë me refuzim, qendra e Gjadrit mund të bëhet një nga strukturat që Italia përdor për një pjesë të tyre përpara riatdhesimit në vendet e origjinës.
Kjo e lidh drejtpërdrejt zbatimin e Paktit të ri Evropian për Migracionin me marrëveshjen Itali-Shqipëri: jo përmes një transferimi të drejtpërdrejtë nga Austria apo Gjermania në Shqipëri, por përmes një procedure me dy faza, fillimisht rikthimi në Itali dhe më pas, vetëm në rastet që plotësojnë kushtet ligjore, transferimi i mundshëm në Gjadër. /Pamfletigjadri kamp Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Zjarr pranë QSUT-së në Tiranë, përfshihet nga flakët një banesë private 19 Gusht 2026, 17:5017:50Aktualitet Zjarr në Klos, flakët rrezikojnë banesat dhe kabinën elektrike në Suç 19 Gusht 2026, 16:4516:45Aktualitet Vijon zjarri në Gjegjan-Gojan, era favorizon flakët; tre helikopterë ndërhyjnë nga ajri 19 Gusht 2026, 16:3816:38Aktualitet Zjarret në Shqipëri/ Riaktivizohen flakët në Priskë, vijon operacioni në Dajt 19 Gusht 2026, 15:3515:35Aktualitet Merr përmasa të mëdha zjarr në Tërbun, ndërhyjnë 3 helikopterë; era favorizon flakët 19 Gusht 2026, 14:4814:48Aktualitet Aksidentet rrugore, eksperti ngre alarmin: Kemi njerëz me probleme mendore në timon, duhet bërë testi i idiotit 19 Gusht 2026, 13:4413:44Aktualitet

