Është e lehtë të jesh patriot sot në Shqipëri. Mjafton të dalësh kundër diçkaje me idealizëm, ose të paguhesh për të dalë kundër saj. Në të dyja rastet, mund të përfsh në të njëjtën protestë, por jo domosdoshmërisht për të njëjtin atdhe. Patriotët naivë, idealistët që ende besojnë se mund të ndryshojnë diçka, shpesh bëhen pre e manipulimit nga disa “patriotë” të tjerë, të cilët paguhen për të luajtur rolin e kundërshtarit. Ata filmojnë zemërimin tënd, regjistrojnë fjalët e tua dhe e dërgojnë materialin atje ku i çojnë interesat e tyre, te burimi i parave që i ushqen. Ti mendon se po lufton për Shqipërinë. Dikush tjetër po punon për llogari të vet. LEXO EDHE:Nuk jam kundër Muzeut Hebraik në Vlorë, jam kundër histerisë rreth tij Mjafton t’ia marrësh këngës popullore, me iso ose me dorën pas veshit dhe papritur ndihesh më patriot se të gjithë. Vish një kostum popullor, bëj disa fotografi dhe patriotizmi yt është gati për publikim. Hidhe flamurin mbi supe dhe fito pamjen e duhur për kamerën. Por flamuri mbi supe nuk është domosdoshmërisht atdheu në zemër. Mjafton edhe të marrësh mikrofonin e të flasësh pa pushim, duke përsëritur herë pas here refrenin e famshëm: “Nuk dua të zgjatem!”. Dhe, pasi ke folur më shumë se të gjithë, mund të ulesh i qetë në një kafene, vetëm për vetëm me veten, me një kafe dhe një shishe ujë përpara. Aty shijon vetëm lavdinë tënde disaminutëshe, të fituar në një protestë po aq të shkurtër. Narcizmi të bën të admirosh veten, ndërsa Shqipëria vazhdon të presë që dikush të bëjë diçka për të. Është e lehtë të jesh patriot kur mund të thuash çfarë të duash pa mbajtur përgjegjësi për asgjë. Kur mund të premtosh gjithçka, pa përfunduar asgjë. Kur gjithë jetën i ke lënë punët përgjysmë, por kërkon të bindësh të tjerët se je gati të shpëtosh një komb të tërë. Është e lehtë të jesh patriot me orar. Ta duash atdheun kur të leverdis dhe ta harrosh kur të prish punë. Të mallkosh politikën, ndërsa ëndërron të zësh një vend brenda saj. Të flasësh për popullin, por ta kujtosh atë vetëm kur të duhet për një fotografi apo një duartrokitje. Në Shqipëri, patriotizmi është kthyer shpesh në një kostum që vishet sipas rastit. Herë është flamur, herë këngë, herë mikrofon, herë një status i zjarrtë në rrjetet sociale. Dhe, nëse i shton edhe pak zemërim, disa fjalë kundër tradhtarëve dhe një fotografi me sfond kuqezi ose një kostum popullor, ke krijuar paketën e plotë të patriotit të ditës. Por patriotizmi i vërtetë nuk matet me decibelët e britmës “Shqipëri!”, as me numrin e flamujve që valëvit, as me gjatësinë e fjalimeve që mban. Atdheu nuk është pronë e një partie, e një krahine, e një feje, e një ideologjie apo e një grupi që pretendon se zotëron certifikatën e patriotizmit. Nuk është as një supermarket ku secili zgjedh vetëm raftin që i pëlqen, duke refuzuar gjithçka tjetër. Dhe aq më pak është një skenë ku disa luajnë rolin e heroit, ndërsa të tjerët paguhen për faturën e shfaqjes. Patriotë janë ata që mbrojnë interesin kombëtar pa e kthyer dashurinë për vendin në urrejtje ndaj të tjerëve. Ata që dinë të dallojnë Shqipërinë nga qeveria, shtetin nga partia dhe interesin publik nga interesi personal. Ata që nuk e shesin bindjen për një përfitim dhe nuk e ndërrojnë qëndrimin sipas drejtimit nga fryn era politike. Patriotë nuk janë ata për të cilët historia është e shenjtë vetëm kur u shërben interesave të tyre, kur konfirmon bindjet e tyre apo kur mund të përdoret si armë kundër kundërshtarit. Historia nuk është pronë private dhe flamuri nuk është licencë për të gënjyer. Atdheu nuk ka nevojë për më shumë njerëz që bërtasin se e duan. Ka nevojë për më shumë njerëz që nuk e tradhtojnë kur askush nuk i sheh. Dhe, mbi të gjitha, Shqipëria nuk ka nevojë për patriotë që e duan vetëm para kamerave, në sheshe apo në ditët e festave. Ka nevojë për qytetarë që e mbrojnë çdo ditë: me punën, ndershmërinë, përgjegjësinë dhe guximin për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo u prish punë të vetëve. Ngaqë patriotizmi nuk është ajo që demonstron para të tjerëve. Patriotizmi është ajo që bën për vendin tënd kur nuk ka kamera, kur nuk ka publik dhe kur nuk ka asnjë pagesë për të marrë. P.J/Shqiptarja.com TAG: patriotizem Ardi Stefa Komente Komento Sondazhi i ditës:
8 Tetor, 11:03
PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59.6% Jo 34.4% Nuk e di 6% Vota total: 5334 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?

