Lajme Zone
Ernest Troshani Simoni 98 vjet jetë, 70 vjet meshtari, një jetë e kryqëzuar nga persekutimi dhe e kurorëzuar nga falja
Të tjeraCNA

Ernest Troshani Simoni 98 vjet jetë, 70 vjet meshtari, një jetë e kryqëzuar nga persekutimi dhe e kurorëzuar nga falja

Një person është gjetur i pajetë ditën e sotme te lumi i L...

Sot, më 18 tetor 2026, në 98-vjetorin e lindjes së Ernest Troshani Simoni, ne nuk kujtojmë vetëm një jetë të gjatë. Përulemi përpara një dëshmie të rrallë njerëzore, përpara një burri që e kaloi përmes kalvarit të vuajtjes dashurinë për Zotin dhe për njeriun, duke na lënë të kuptojmë se shenjtëria nuk është një largësi e paarritshme, por një mënyrë e jashtëzakonshme për të qenë njeri.

Ernest Troshani Simoni është një nga ata shpirtra që nuk kanë nevojë të shpallin madhështinë e tyre. Ajo flet vetë, në mënyrën se si kanë jetuar, në atë që kanë përballuar dhe, mbi të gjitha, në atë që kanë refuzuar të bëhen.

I lindur më 18 tetor 1928 në Troshan të Lezhës, në një familje thellësisht besimtare, Ernesti e nisi herët udhën e përkushtimit. Në moshën 10-vjeçare hyri në kolegjin françeskan të Troshanit, duke hedhur hapat e parë drejt meshtarisë, në një mjedis ku lutja, përulësia, shërbimi dhe dashuria për të afërmin përbënin jo vetëm mësime fetare, por edhe një mënyrë të të jetuarit.

Por koha që do t'i përkiste rinisë së tij nuk ishte një kohë e zakonshme. Ishte koha kur Shqipëria po përjetonte përmbysjen e dhunshme të rendit politik, kur ideologjia komuniste nisi të godiste institucionet fetare dhe kur besimi në Zot u shpall armik i një pushteti që pretendonte të zotëronte jo vetëm jetën e njerëzve, por edhe ndërgjegjen e tyre.

Në vitin 1948, kur përndjekja fetare mori përmasa tragjike, kuvendi françeskan i Troshanit u bastis dhe u shndërrua në një vend torture. Fretërit u vranë, ndërsa rishtarët u shpërndanë. Ernesti ishte vetëm njëzet vjeç. Përpara tij u mbyll një botë dhe nisi një tjetër, e mbushur me ndalime, mbikëqyrje dhe rrezikun e përhershëm që përbënte vetë fakti i të besuarit.

Regjimi e dërgoi të punonte si mësues në një fshat të largët malor. Më pas kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe, në kushte të vështira, vijoi studimet teologjike në fshehtësi. Më 7 prill 1956 u shugurua meshtar në Shkodër. Ai nuk u bë pjesë e një urdhri të lirë për të ushtruar misionin e vet, u bë meshtar në një vend ku vetë meshtaria mund të kthehej në një dënim me vdekje.

Për më shumë se shtatë vjet shërbeu në famulli të ndryshme, mes njerëzve të thjeshtë, në fshatra e krahina ku prifti ishte jo vetëm udhërrëfyes shpirtëror, por edhe një prani ngushëlluese për familjet që kërkonin të ruanin besimin dhe dinjitetin. Në një Shqipëri që po shtyhej me dhunë drejt ateizmit shtetëror, ai vazhdoi të besonte se njeriu nuk mund të privohet nga e drejta për të kërkuar kuptimin e jetës, për të lutur Zotin dhe për të shpresuar përtej frikës.

Më 7 prill të këtij viti, 2026, ai shënoi 70-vjetorin e shugurimit meshtarak. Shtatëdhjetë vjet shërbesë, në të cilat fjala e Ungjillit nuk ishte për të një strehë nga vuajtja, por një mënyrë për të qëndruar brenda saj pa u thyer shpirtërisht.

Ishte nata e Krishtlindjes së vitit 1963 kur jeta e Dom Ernestit mori kthesën më të dhimbshme. Pas kremtimit të Meshës, ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Shkodrës. Në një vend ku pushteti kishte shpallur luftë ndaj fesë, prifti që u kishte përcjellë njerëzve mesazhin e lindjes së Krishtit u trajtua si armik i shtetit.

Sipas biografisë zyrtare të Vatikanit, ai u dënua fillimisht me vdekje, por dënimi iu kthye në vite burgimi dhe punë të detyruar. Në përshkrimet biografike të jetës së tij dokumentohet se vuajti rreth 18 vjet në burgje dhe kampe pune, dymbëdhjetë prej tyre në miniera.

A mund të përfytyrohet më qartë absurdi i një regjimi që i frikësohej një meshe? Çfarë kërcënimi përbënte një prift që lutej për shpirtrat e njerëzve? Çfarë rreziku për pushtetin mund të sillte fjala e Krishtit, përveçse t'u kujtonte njerëzve se asnjë autoritet tokësor nuk ka të drejtë ta shpallë veten zot të ndërgjegjes njerëzore?

Përgjigjja gjendet pikërisht në frikën e pushtetit totalitar ndaj asaj që nuk mund ta zotëronte plotësisht: shpirtit të lirë.

Në burg, Dom Ernesti u përball me izolimin, torturat, punën e detyruar dhe poshtërimin. Por, ndërsa regjimi synonte ta thyente si meshtar dhe si njeri, ai u bë pikë referimi shpirtërore për të burgosurit e tjerë. Në një mjedis ku njeriu reduktohej në numër, në trup të lodhur dhe në krah pune, ai u përpoq të ruante atë që dhuna kërkonte t'ua merrte të gjithëve: dinjitetin.

Mesha nuk u zhduk nga jeta e tij. Ajo vazhdoi në fshehtësi, në kujtesë, në lutjen e pëshpëritur dhe në përkushtimin që mund të ushtrohej edhe pa altar, pa kishë dhe pa praninë e besimtarëve të mbledhur hapur. Ai ka treguar se kremtonte Meshën përmendësh, në latinisht, duke rrezikuar jetën sa herë që e bënte këtë. Për bukën e Eukaristisë përdorte miell të përgatitur në kushte primitive, ndërsa për verën shtrydhte kokrra rrushi.

Këtu besimi pushon së qeni vetëm një pohim dhe bëhet një akt i përditshëm guximi. Nuk ishte më fjala për të besuar kur gjithçka të fton të besosh, por për të mos hequr dorë nga besimi kur çdo rrethanë është ndërtuar për të të detyruar të dorëzohesh.

Në vitin 1973, gjatë vuajtjes së dënimit, ai u dënua sërish me vdekje, i akuzuar si nxitës i një revolte. Dënimi nuk u zbatua, ndër të tjera edhe falë dëshmive në favor të tij nga njerëz që e njihnin. Edhe në këtë pikë të skajshme të kalvarit, jeta e tij u bë dëshmi e një paradoksi të madh: njeriu që regjimi e kishte shpallur armik, në sytë e të tjerëve mund të ishte një burim paqeje.

Ka vende që nuk janë thjesht pika në hartë, por plagë në ndërgjegjen e një kombi. Spaçi është një prej tyre. Emri i tij mbart kujtimin e punës së detyruar, të poshtërimit, të urisë, të lodhjes çnjerëzore dhe të jetëve që u shuan nën peshën e një sistemi që e shihte njeriun si pronë të shtetit.

Për Dom Ernestin, Spaçi ishte një nga skenat më të rënda të vuajtjes, por nuk u bë kurrë varri i besimit të tij.

Më 31 korrik 2026, në moshën 97-vjeçare, ai u kthye në ish-kampin e Spaçit për të kremtuar Meshën në kujtim të atyre që vuajtën dhe humbën jetën atje. U kthye në vendin ku dikur kishte qenë i burgosur, jo për të kërkuar shpagim, por për t'u lutur për të vdekurit dhe për të mbajtur gjallë kujtesën e tyre. Në atë Meshë, ai tregoi edhe helmetën e minatorit që kishte mbajtur kur punonte në galeritë e nëntokës.

Mendoni për një çast domethënien e kësaj pamjeje: një plak 97-vjeçar, një kardinal i Kishës Katolike, kthehet në vendin ku dikur i ishte marrë liria, ku jeta e tij ishte vënë në shërbim të punës së detyruar, ku çdo ditë mund të ishte një përballje me vdekjen. Ai nuk kthehet si fitimtar i një lufte politike, por si dëshmitar i një fitoreje tjetër, më të vështirë për t'u arritur: fitores mbi urrejtjen.

Helmeta e minatorit, e sjellë në atë përkujtim, nuk ishte thjesht një send i vjetër. Ishte një relike e jetës së tij tokësore, një dëshmi e asaj që trupi kishte përjetuar dhe që shpirti nuk e kishte lejuar të shndërrohej në helm. Ajo fliste për galeritë e errëta, për djersën, lodhjen dhe rrezikun; por, mbi të gjitha, dëshmonte se edhe në nëntokë, atje ku drita e diellit nuk arrinte, njeriu mund të ruante një dritë tjetër brenda vetes.

Papa Leoni XIV, në mesazhin e përcjellë me këtë rast, shkroi se asnjë zinxhir nuk mund ta burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli dhe asnjë burg nuk mund ta ndajë njeriun nga dashuria e Zotit. Ai e përshkroi Spaçin si një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë shqiptare dhe kërkoi që kujtimi i viktimave të mbetet një thirrje e vazhdueshme për dinjitetin e njeriut, lirinë dhe paqen.

Kjo është një nga ngjarjet që e bëjnë 98-vjetorin e Kardinal Simonit më shumë se një përvjetor. Është një kthim te kujtesa, një takim mes së kaluarës që nuk duhet harruar dhe së ardhmes që nuk duhet lejuar të përsërisë të njëjtat krime.

Kur u lirua në vitin 1981, pas rreth 18 vjetësh burgimi dhe pune të detyruar, Dom Ernesti nuk u kthye në një botë të lirë. Diktatura vazhdonte të ekzistonte dhe ai mbetej i konsideruar armik i popullit. Iu desh të punonte në kanalizimet e Shkodrës, ndërsa meshtarinë e ushtronte në fshehtësi deri në rënien e regjimit komunist.

Ishte një poshtërim i projektuar për ta zhveshur njeriun nga dinjiteti i tij. Por nuk arriti ta zhveshte nga ajo që ai e konsideronte detyrën më të shenjtë: të mbetej meshtar, të lutej dhe të mos e kthente vuajtjen në hakmarrje.

Në historinë e tij, falja nuk është një fjali e bukur për t'u shqiptuar në ditë përkujtimore. Është një përvojë e vështirë, një zgjedhje që kërkon të mos lejosh që krimi i tjetrit të vazhdojë të sjë jetën tënde edhe pasi ai ka marrë fund.

Falja nuk e zhduk krimin. Nuk e shfuqizon përgjegjësinë, nuk e zëvendëson drejtësinë dhe nuk e fshin kujtesën. Por ajo mund të çlirojë njeriun nga robëria e urrejtjes, duke mos lejuar që e keqja e përjetuar të bëhet e keqja që ai vetë u përcjell të tjerëve.

Këtu qëndron një nga mësimet më të thella të Dom Ernestit. Ai nuk na kërkon të harrojmë atë që ndodhi, as të heshtim përballë padrejtësisë. Përkundrazi, jeta e tij është një dëshmi e gjallë kundër harresës. Por ai na kujton se kujtesa mund të jetë e drejtë pa qenë hakmarrëse dhe se drejtësia nuk ka nevojë të ushqehet me urrejtjen për të qenë e domosdoshme.

Të falësh nuk do të thotë të thuash se nuk të kanë bërë keq. Do të thotë të mos pranosh që e keqja të të përcaktojë përgjithmonë.

Të falësh nuk do të thotë të justifikosh xhelatin. Do të thotë të mos lejosh që xhelati të vazhdojë të jetojë brenda teje, duke të diktuar mendimet, ndjenjat dhe marrëdhëniet me botën.

Kjo është liria që Dom Ernesti ruajti edhe kur nuk mund të dilte nga qelia.

Në prag të rënies së diktaturës, Dom Ernesti u thirr sërish në Degën e Punëve të Brendshme. Për pesë orë priti, duke menduar se mund të përballej përsëri me arrestimin. Pas gjithë atyre viteve, frika e rikthimit në burg nuk ishte një kujtim i largët, por një mundësi që mund të trokitte sërish në derë.

Por këtë herë lajmi ishte tjetër, po hapej rruga për rikthimin e lirisë fetare dhe për rihapjen e kishave.

Më 30 qershor 1990, në Velipojë, ai kremtoi një Meshë që shënoi një moment të rëndësishëm në rikthimin e jetës fetare publike në Shqipëri. Pas dekadash persekutimi, lutja mund të dilte sërish nga fshehtësia dhe të dëgjohej hapur. Për Dom Ernestin, kjo ishte një ditë gëzimi të jashtëzakonshëm.

Por çfarë do të thoshte liria për një njeri që kishte kaluar aq shumë vite nën dhunën e një regjimi? A do ta përdorte atë për të kërkuar dëmshpërblim moral për vuajtjet e tij, për të denoncuar me zemërim ata që e kishin dënuar, për të kërkuar një vend nderi në shoqërinë e re?

Ai zgjodhi të vazhdonte të shërbente.

Pas vitit 1990, meshtaria e tij u bë sërish e hapur. Ai shërbeu në famulli të ndryshme, u përpoq të pajtonte njerëz të përfshirë në hasmëri dhe gjakmarrje dhe e vuri përvojën e vet në shërbim të paqes. Për një vend të plagosur nga diktatura dhe më pas nga konfliktet e brendshme, dëshmia e tij kishte një domethënie që shkonte përtej kufijve të një bashkësie fetare.

Ai e dinte se çfarë mund të bëjë urrejtja kur kthehet në sistem, kur ushqehet nga ideologjia dhe kur njeriu tjetër nuk shihet më si një qenie me dinjitet, por si armik që duhet asgjësuar.

Prandaj, pajtimi nuk ishte për të një ideal abstrakt. Ishte një domosdoshmëri njerëzore.

Më 2014, gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, dëshmia e Dom Ernestit e preku thellë Papën, i cili u emocionua deri në lot. Dy vjet më vonë, më 19 nëntor 2016, Papa Françesku e krijoi kardinal, duke nderuar një meshtar që nuk kishte kërkuar poste apo privilegje, por kishte ruajtur besnikërinë ndaj misionit të vet edhe në rrethanat më të egra.

Ai u bë një nga figurat më të njohura të Kishës Katolike shqiptare në botë, i përshkruar nga Papa Françesku si një “martir i gjallë”.

Titulli i kardinalit nuk e ndryshoi thelbin e tij. Përkundrazi, e bëri edhe më të dukshme një madhështi që kishte ekzistuar shumë kohë përpara nderimeve kishtare. Ai nuk u bë i rëndësishëm sepse mori një titull të lartë; titulli mori kuptim sepse iu dha një njeriu që kishte dëshmuar me jetën e vet se besimi mund të mbijetojë edhe kur gjithçka është ndërtuar për ta shkatërruar.

Në këtë histori, nderimi nuk është një kurorë që mbulon vuajtjen. Është një njohje e vonuar e asaj që vuajtja nuk arriti të shuante.

Dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse figura e tij prek kaq shumë njerëz, edhe përtej besimit katolik. Sepse në të nuk shohim vetëm një meshtar që i mbeti besnik Zotit. Shohim një njeri që i mbeti besnik ndërgjegjes së vet, një njeri që nuk lejoi të bëhej kopja morale e atyre që e përndoqën.

Në prill të vitit 2026, Kardinal Simoni u prit nga Papa Leoni XIV në Vatikan, i shoqëruar nga anëtarë të familjes së tij. Pas takimit, ai foli për gëzimin dhe shpresën e përjetuar dhe shprehu dëshirën për t'ua përcjellë të gjithë popujve mesazhin e paqes, vëllazërisë dhe dashurisë. Në atë takim, ai i dhuroi Papës një kryq dhe një relike të martirëve shqiptarë, si kujtim i atyre që dhanë jetën për besimin.

Ky gjest mbart një domethënie të veçantë. Ai nuk i dhuroi Papës një objekt që simbolizonte triumfin e tij personal, por një kujtim të atyre që nuk u kthyen nga burgjet, që nuk patën mundësi të dëshmonin vetë për vuajtjet e tyre dhe që në shumë raste mbetën pa varre të njohura e pa një lule mbi vendprehjen e tyre.

Në këtë mënyrë, kujtesa personale e Dom Ernestit bëhet kujtesë kolektive. Ai nuk flet vetëm për veten, por edhe për të gjithë ata që u shuan në heshtje, për priftërinjtë dhe besimtarët e persekutuar, për familjet e shkatërruara, për njerëzit që u detyruan të fshihnin besimin dhe për ata që humbën jetën pa pasur mundësi t'i tregonin botës historitë e tyre.

Në një moshë kur shumë njerëz tërhiqen nga jeta publike, ai vijon të dëshmojë. Jo sepse kërkon të jetë në qendër të vëmendjes, por sepse e kupton se përvoja e tij nuk i përket më vetëm atij. Ajo është bërë pjesë e kujtesës së një kombi dhe një thirrje për botën që të mos e humbasë ndjeshmërinë ndaj lirisë, dinjitetit dhe paqes.

Sot, në këtë 98-vjetor, jeta e Kardinal Ernest Troshani Simonit na fton të reflektojmë jo vetëm mbi të kaluarën, por edhe mbi mënyrën se si jetojmë të tashmen.

Në një botë ku urrejtja përhapet shpejt, ku dallimet shndërrohen në arsye për përjashtim dhe ku hakmarrja shpesh ngatërrohet me drejtësinë, dëshmia e tij vjen si një kujtesë e rrallë se forca e vërtetë nuk qëndron te aftësia për të lënduar, por te guximi për të mos u bërë i ngjashëm me atë që të ka lënduar.

Ai na mëson se besimi nuk është ikje nga realiteti, por përballje me të pa humbur njerëzoren. Se falja nuk është dobësi, por një formë e lartë lirie. Se paqja nuk ndërtohet duke fshirë të vërtetën, por duke e pranuar atë pa ia dorëzuar të ardhmen urrejtjes.

Dhe, mbi të gjitha, na kujton se njeriu nuk matet vetëm me atë që i ndodh, por edhe me atë që zgjedh të bëhet pas asaj që i ka ndodhur.

Ernest Troshani Simoni u përndoq, u burgos, u dënua me vdekje, u detyrua të punonte në miniera dhe kanalizime, u privua nga liria e ushtrimit të besimit. Por nuk lejoi që asnjëra prej këtyre përvojave të bëhej fjala e fundit e jetës së tij.

Fjala e fundit, për të, mbeti lutja.

Mbeti falja.

Mbeti dashuria.

Dhe kur u kthye në Spaç, në moshën 97-vjeçare, për të kremtuar Meshën në kujtim të të vuajturve dhe të vdekurve, ai e shndërroi vetë praninë e tij në një homeli të gjallë: njeriu mund të kthehet në vendin ku është lënduar pa e marrë me vete urrejtjen; mund të kujtojë pa u hakmarrë; mund të dëshmojë për krimin pa e lejuar krimin të sjë shpirtin e tij.

Kur themi se Ernest Troshani Simoni është një shenjtor që ecën mes nesh, nuk po shpallim një vendim zyrtar të Kishës për shenjtërimin e tij. Po shprehim nderimin njerëzor dhe shpirtëror për një jetë që, në sytë e shumëkujt, dëshmon vlera të shenjtërisë: besnikëri, përulësi, qëndresë, dashuri dhe falje.

Shenjtëria, në kuptimin më të thellë njerëzor, nuk ka nevojë gjithmonë për aureolë. Ndonjëherë ajo shfaqet në një fytyrë të rrudhur nga vitet, në një palë duar që kanë njohur mundimin, në një zë që nuk e ka humbur butësinë dhe në një zemër që nuk ka lejuar të mbushet me urrejtje.

Ajo shfaqet te njeriu që ka pasur arsye të urrejë, por zgjedh të falë; që ka njohur padrejtësinë, por nuk heq dorë nga drejtësia; që ka parë vdekjen nga afër, por vazhdon t'u flasë të tjerëve për jetën.

98 vjet jetë. 70 vjet meshtari. 18 vjet burgim dhe punë të detyruar. Dhe një dëshmi që nuk matet me numra. Në heshtjen e tij ka më shumë madhështi se në shumë fjalime. Në përulësinë e tij ka më shumë forcë se në shumë pushtete. Në faljen e tij ka më shumë liri se në shumë fitore. Në kthimin e tij në Spaç ka më shumë paqe se në shumë deklarata për paqen.

Në jetën e tij ka një përgjigje për ata që pyesin nëse njeriu mund të mbetet i mirë pasi ka njohur të keqen nga afër.

Po, mundet.

Por kjo kërkon një forcë që nuk buron nga muskujt, as nga pushteti, as nga hakmarrja. Kërkon atë guxim të rrallë për të ruajtur shpirtin të papushtuar, edhe kur gjithçka tjetër është marrë peng.

Ernest Troshani Simoni, bir i Troshanit, meshtar i Shkodrës, i mbijetuar i burgjeve komuniste dhe kardinal i Kishës Katolike, është një dëshmi e gjallë se njeriu mund të dalë nga ferri pa e marrë ferrin me vete.

Ai na kujton se Zoti nuk është larg, në një qiell të paarritshëm, por mund të bëhet i pranishëm aty ku njeriu zgjedh të mos urrejë, aty ku dhimbja nuk e mposht dashurinë dhe aty ku falja nuk është fjalë, por një mënyrë për të jetuar.

Sot, në 98-vjetorin e lindjes së tij, Shqipëria përkulet me nderim përpara këtij burri të imët në trup, por të pamatshëm në shpirt.

Dhe ne, që kemi ende kaq shumë për të mësuar nga e kaluara, kemi detyrimin të mos e lëmë dëshminë e tij të mbetet vetëm një histori e bukur për t'u rrëfyer. Duhet ta kthejmë në një pyetje për ndërgjegjen tonë: a jemi në gjendje të ruajmë njerëzoren edhe kur bota përreth nesh përpiqet të na e marrë?

Sepse, në fund, nuk është vetëm çështja se sa gjatë jetojmë, por çfarë drite lëmë pas.

Gëzuar 98-vjetorin e lindjes, Eminencë!

Qofshin vitet tuaja bekim, fjala juaj paqe dhe dëshmia juaj një dritë e pashuar në kujtesën e Shqipërisë dhe të njerëzimit.

Ernest Troshani Simoni, një shenjtor që ecën mes nesh, duke na kujtuar se Zoti nuk është larg, por aty ku njeriu guxon të falë. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.