Gjykata e Apelit në Amiens të Francës ka zhvilluar ditën e sotme një seancë gjyqësore ku është shqyrtuar kërkesa e biznesmenit Ermal Beqiri, për tu liruar nga qelia. Gazeta franceze “Courrier Picard” raporton se Beqirit i është komunikuar sot vendimi për rrëzimin e kërkesës për të dalë nga paraburgimi.
Bëhet me dije se biznesmeni, i shumëkërkuari i SPAK-ut si një ndër figurat kyçe në dosjen për tenderët e AKSHI-t, do të qëndrojë në paraburgim, ndërsa drejtësia franceze shqyrton nëse do të pranojë kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Gazeta franceze se Beqiri zotëron një kështjellë të shekullit të 16-të në Auteuil, në rajonin e Oise, e cila, sipas raportimeve të shtypit shqiptar, është blerë për rreth 2.6 milionë euro në vitin 2024. Pjesë e pasurisë së tij janë edhe një avion, një jaht dhe tri llogari bankare të sekuestruara tashmë, me një vlerë totale prej rreth 2 milionë e 125 mijë eurosh.
SPAK dyshon se biznesmeni është përfshirë në një rrjet që manipulonte procedurat e prokurimit publik në fushën e teknologjisë së informacionit, duke cenuar konkurrencën dhe ushtruar presion ndaj rivalëve.
Hetimet përfshijnë 19 procedura tenderimi, me një vlerë të përllogaritur prej 59 milionë eurosh. Në të njëjtën çështje përmenden edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe biznesmeni Ergys Agasi. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

