Analisti Ergys Mërtiri, në një prononcim për gazetaren e News24, Klodiana Lala, nga protesta para Kryeministrisë, deklaroi se arroganca e pushtetit ka shtuar indinjatën e qytetarëve. Sipas tij, prej katër muajsh protestuesit janë në shesh, por asnjë prej kërkesave të tyre nuk është realizuar. Mërtiri ngriti shqetësimin për dhunën e pretenduar ndaj të miturve gjatë protestave, duke theksuar se, ndërsa disa të rinj po hetohen, nuk dihet nëse ka efektivë policie nën hetim për veprimet e tyre. Ai tha se ekzistojnë pamje filmike ku, sipas tij, shfaqet dhuna ndaj fëmijëve. Analisti u shpreh se nuk sheh hapësirë për dialog me kryeministrin Edi Rama dhe se zgjidhja, sipas tij, duhet të kalojë përmes zgjedhjeve, ku qytetarët të shprehen përmes votës. “Arroganca e pushtetit krijon indinjatë dhe krijon këtë efekt. Pushteti nuk dëgjon. Kemi katër muaj në protestë dhe nuk u realizua asnjë prej kërkesave. Përveçse paguajmë policinë, ata paguhen për të rrahur fëmijët tanë, që t’i terrorizojnë, që të mos dalin në protestë. Sot kemi fëmijë që po hetohen dhe nuk dimë nëse ka një polic që hetohet. Kemi video ku dhunohen fëmijët. Nuk janë të denjë për një vend demokratik. Rama nuk është njeri që dialogon, s’ka objekt dialogu. S’ka më kë të dialogojë. Populli është në shesh. S’ka pse dialogohet. Kërkesa është e thjeshtë: të ikë ai. Dialogu janë zgjedhjet. Në demokraci ka një instrument që shërben si valvul, ndaj janë zgjedhjet. Populli nuk të do. Ik në zgjedhje, vërtetoje nëse të do apo jo populli, nëse i ke apo jo ato mandate.”, tha Mërtiri. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: protesta
