Pas gjashtë vitesh në arrati, policia greke ka arrestuar shqiptarin Nikolin Pali, i kërkuar për një vrasje të dyfishtë që tronditi zonën e Korinthit në tetor të vitit 2020. 43-vjeçari u kap në Patisia të Athinës, gjatë një operacioni të koordinuar të policisë, ndërsa dyshohet se përdorte dokumente identiteti të falsifikuara për të mos u identifikuar. Në apartamentin ku fshihej, efektivët gjetën një pistoletë dhe dy granata dore. Sipas informacioneve të mediave greke, ai nuk pati kohë t’i përdorte armët gjatë ndërhyrjes së policisë. Autoritetet po hetojnë gjithashtu dyshimet se shqiptari mund të ketë qenë duke përgatitur një tjetër sulm dhe po verifikojnë nëse është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit. Sipas burimeve policore, Pali konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se ka vepruar edhe si vrasës me pagesë. Pjesëmarrja e tij në krime të tjera, përveç vrasjes së dyfishtë për të cilën ishte shpallur në kërkim, është tashmë në hetim. Ai ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme. Ngjarja për të cilën kërkohej shqiptari ndodhi më 11 tetor 2020, në zonën Flambouro të Korinthit, pranë Lutrakit. Në një banesë verore u gjetën të pajetë një 43-vjeçare ukrainase, e njohur në Greqi edhe me emrin Fotini, dhe një farmacist 42-vjeçar, Ioannis Zonitsas. Të dy viktimat ishin goditur disa herë me sëpatë. Hetimet e policisë u përqendruan që në fillim te ish-partneri i gruas, i cili dyshohej se nuk e kishte pranuar ndarjen dhe kishte shfaqur sjellje posesive ndaj saj. Sipas rindërtimit të ngjarjes të publikuar nga mediat greke në atë kohë, 43-vjeçarja kishte nisur një lidhje me farmacistin, i cili kishte farmacinë përballë banesës së saj. Ata kishin vendosur të kalonin fundjavën së bashku dhe, në vend të udhëtimit që kishin menduar fillimisht, gruaja e kishte ftuar atë në shtëpinë e saj verore.
Mbrëmjen e krimit, të dy kishin pirë verë në oborr dhe më pas ishin futur brenda banesës. Në këtë moment, ish-partneri i saj dyshohet se ka hyrë në shtëpi duke përdorur një çelës rezervë që kishte siguruar më herët.
Kur i ka gjetur të dy në dhomën e gjumit, ai dyshohet se ka marrë një sëpatë dhe i ka goditur për vdekje. Sipas të dhënave të publikuara për ngjarjen, gruaja kishte marrë disa goditje në kokë, ndërsa farmacisti ishte goditur në kokë dhe në zemër.
Pas krimit, autori dyshohet se u ka marrë telefonat celularë viktimave dhe është larguar. Më pas, sipas hetimeve të asaj kohe, ai mori makinën Toyota hibride të gruas dhe i vuri flakën, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Pas vrasjes së dyfishtë, policia greke nisi kërkimet për shqiptarin në Athinë, Mykonos dhe Shqipëri. Sipas informacioneve të publikuara në vitin 2020, ai kishte pasur probleme të mëparshme me drejtësinë dhe ishte arrestuar në vitin 2014 për grabitje, përpara se të lirohej nga burgu në vitin 2017.
Mediat greke raportojnë se gjatë periudhës së arratisë ai jetonte në apartamentin ku u arrestua, së bashku me një grua tjetër, dhe dilte rrallë, kryesisht kur duhej të kryente ndonjë aktivitet që kishte marrë përsipër.
Tashmë, pas arrestimit, hetuesit po verifikojnë aktivitetin e tij gjatë gjashtë viteve të fundit, si dhe dyshimet për përfshirje në vrasje apo ngjarje të tjera kriminale. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

