Të arrestuar nga operacioni i zhvilluar në Lezhë janë Elden Tarja; Kristian Ymeri(Shkambi) dhe Vinçesk Piroli. Këta shtetas në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin vrasjen. 2 prej tyre, të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin. Sipas policisë, shtetasi tjetër bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar që të largoheshin me automjet nga zona ku kishin planifikuar të kryenin vrasjen. Gjatë operacionit u sekuestruan 3 armë zjarri (pistoleta), si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast. Njoftimi i plotë:
Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).
Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.
Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.
Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit, me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
