Pas protestave të zhvilluara në disa bashki të qarkut të Elbasanit kundër propozimit për Reformën e re Administrativo-Territoriale, ka nisur zyrtarisht edhe faza e konsultimit publik me qytetarët. Në qarkun e Elbasanit, kundërshtimi ndaj hartës së re u shfaq fillimisht në Prrenjas, ku qindra banorë dolën në protestë duke kundërshtuar bashkimin e bashkisë së tyre me Librazhdin. Më pas, reagimet u shtrinë edhe në Belsh dhe Cërrik, ku qytetarët kanë shprehur po ashtu kundërshtimin ndaj propozimit që bashkitë e tyre t’i bashkohen Elbasanit. Paralelisht me këto reagime, bashkitë kanë nisur procedurat e konsultimit publik, pas mbërritjes së shkresës së Kuvendit për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale. Një prej tyre është Bashkia Cërrik, e cila ka njoftuar zyrtarisht çeljen e periudhës 60-ditore të konsultimit publik. Sipas njoftimit të bashkisë, procedura nisi pas mbërritjes së shkresës nr. 3573, datë 31 korrik 2026, të Kuvendit të Shqipërisë, e administruar nga institucioni më 3 gusht. Kryetari i Bashkisë Cërrik u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces, duke theksuar se konsultimi duhet të mbështetet te informimi dhe debati publik, larg përplasjeve politike. “Ky nuk është një konsultim për fatin e një kryetari bashkie. Është një konsultim për të ardhmen e komunitetit tonë”, thuhet në mesazhin drejtuar banorëve. Sipas bashkisë, në ditët në vijim do të zhvillohen takime konsultuese në qytetin e Cërrikut dhe në të gjitha njësitë administrative, ndërsa datat dhe vendet do të bëhen publike në vijim. Aktualisht, qarku i Elbasanit përbëhet nga shtatë bashki. Sipas propozimit të ri të Reformës Administrativo-Territoriale, ai do të reduktohet në katër bashki. Projekti parashikon bashkimin e Prrenjasit me Librazhdin, ndërsa bashkitë Cërrik dhe Belsh do t’i bashkohen Bashkisë Elbasan.
