Një influencuere 27-vjeçare është vrarë me armë zjarri në një atentat të mirëorganizuar në Kolumbi, ndërsa priste me automjetin e saj në semafor pranë një qendre tregtare.
Viktima është identifikuar si Angie Marcela Ramírez Vargas, e cila u sulmua mbrëmjen e së premtes në qytetin Pitalito, në rajonin Huila, teksa drejtonte një Toyota Land Cruiser Prado.
Sipas autoriteteve kolumbiane, disa persona të lëvizur me motoçikleta iu afruan automjetit të saj dhe njëri prej tyre hapi zjarr në drejtim të 27-vjeçares nga një distancë shumë e afërt. Pas të shtënave, autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Edhe pse e plagosur rëndë, Angie arriti të përshkonte disa metra me makinën e saj, por më pas humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas. Kalimtarët dhe ekipet e emergjencës i erdhën menjëherë në ndihmë, ndërsa ajo u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan se nuk mundi t'u mbijetonte plagëve të marra.
Policia ngriti menjëherë pika kontrolli dhe nisi një operacion për kapjen e autorëve. Pas një ndjekjeje, efektivët arrestuan një të dyshuar 48-vjeçar, i cili u gjet i fshehur mes shkurreve. Sipas hetuesve, ai dyshohet të ketë qenë pasagjeri që hapi zjarr ndaj influencueres.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, që dyshohet se drejtonte motoçikletën, arriti të arratisej përgjatë brigjeve të një lumi dhe vijon të jetë në kërkim.
Koloneli Javier Alberto Duarte, drejtues i Policisë së Huilas, deklaroi se arrestimi u bë falë reagimit të menjëhershëm të forcave të rendit pas një ndjekjeje intensive.
Prokuroria e Përgjithshme e Kolumbisë dhe policia kanë nisur hetimet për të zbardhur motivin e atentatit dhe për të identifikuar autorin e dytë. Gjatë operacionit janë sekuestruar një motoçikletë dhe arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në vrasje.
Deri më tani nuk dihet nëse 27-vjeçarja kishte denoncuar më herët kërcënime ndaj saj. Sipas të dhënave të Observatorit Kolumbian të Femicideve, që nga shtatori i vitit 2025 janë regjistruar 621 femicide (vrasje femrash) në Kolumbi, ndërsa vrasja e Angie Ramírez Vargas është vrasja e 46-të e regjistruar këtë vit në qytetin e Pitalitos.

