Sokol Hoxha, i dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri në vitin 2000 dhe për një tjetër vrasje në Belgjikë në vitin 2010, u identifikua pas një hetimi të gjatë që zbuloi fshehjen e identitetit të tij për gati tre dekada. Hoxha u ekstradua nga SHBA, në Shqipëri. Në një reagim të bërë në Facebook, Ambasada Amerikane thekson se rasti i Hoxhës është një kujtesë se SHBA nuk është strehë për ata që keqpërdorin emigracioni për t’i shpëtuar llogaridhënies për krimet e tyre. Sipas njoftimit të Ambasadës, Hoxha kishte përdorur një identitet të rremë për t’iu shmangur drejtësisë, duke siguruar status ligjor në një shtet tjetër evropian dhe më pas leje qëndrimi të përhershme në Shtetet e Bashkuara, gjithashtu nën një emër të rremë. Ambasada thekson se identifikimi i tij u bë i mundur falë punës së Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, në bashkëpunim me Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së, ICE, Departamentin Amerikan të Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar.
Në përfundim të reagimit, Ambasada e SHBA rithekson se Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për personat që keqpërdorin sistemin e emigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të rënda të kryera jashtë vendit, duke vlerësuar bashkëpunimin me partnerët shqiptarë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër krimit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

