Eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, ka folur për publikimin e një liste me mbi 700 numra telefoni që, sipas tij, u përkasin punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatore Ola Brukon, Semanaj tha se bëhet fjalë për rreth 720 numra telefoni, të cilët dyshohet se janë pjesë e të dhënave të siguruara nga grupi i hakerëve “Homeland Justice”. Sipas ekspertit, në materialet e publikuara ndodhet një kontratë me kompaninë Vodafone, së bashku me një faturë të vitit 2022, ku kontraktuesi është SHISH. Semanaj theksoi se deri tani nuk ka pasur një përgënjeshtrim zyrtar që numrat e publikuar nuk janë të saktë. “Kemi një kontratë të Vodafone, që është hakeruar nga grupi i hakerëve ‘Homeland Justice’. Faturë e vitit 2022. Kontraktuesi i kontratës është SHISH. Deri tani nuk është përgënjeshtruar që këto numra nuk janë të saktë. Sipas qytetarëve, ata deklarojnë se janë numra të SHISH. Është çështje e rëndësishme që vë në rrezik punën e atyre zonjave dhe zotërinjve që punojnë në SHISH. Për sa kohë nuk kemi përgënjeshtrim nga organet zyrtare, pasi në Shqipëri nuk është pranuar hakerimi i famshëm, por që rezultoi se rrëzoi sistemet, është e verifikueshme. Është me vulë, me numër kontrate, është faturë e rregullt. Do të doja të përgënjeshtrohej që të mos ishte e vërtetë si çështje. Bëhet fjalë për mbi 700 numra. Mund të dalin dhe identiteti i personave. Shumë gazetarë e kanë verifikuar përmes disa programeve, ku kanë dalë dhe emrat e tyre. Nëse lista vërtetohet që është e saktë, lista e agjentëve ka rënë”, u shpreh Semanaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: semanaj
