Lajme Zone
Eksodi nuk ndalet: Qeveria hap “kanale zyrtare” me Azinë për të zëvendësuar punëtorët shqiptarë
PolitikëJOQ Albania

Eksodi nuk ndalet: Qeveria hap “kanale zyrtare” me Azinë për të zëvendësuar punëtorët shqiptarë

Ndërsa kriza demografike dhe emigracioni po zbrazin përditë vendin nga krahët e punës, ekzekutivi ka nisur një ofensivë diplomatike për të mbuluar boshllëqet në tregun vendas. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përmbyllur së fundmi një sërë marrëveshjes me vende aziatike, duke i kthyer përpjekjet për importimin e krahut të punës në një axhendë të mirëfilltë ndërshtetërore.

Ndërsa kriza demografike dhe emigracioni po zbrazin përditë vendin nga krahët e punës, ekzekutivi ka nisur një ofensivë diplomatike për të mbuluar boshllëqet në tregun vendas. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përmbyllur së fundmi një sërë marrëveshjes me vende aziatike, duke i kthyer përpjekjet për importimin e krahut të punës në një axhendë të mirëfilltë ndërshtetërore.

Përgjatë javëve të fundit, drejtuesja e dikasterit, Delina Ibrahimaj, ka nënshkruar dy memorandume kyçe mirëkuptimi me autoritetet e Vietnamit dhe Indonezisë. Të dyja këto akorde synojnë institucionalizimin e linjave të rekrutimit të kualifikuar, duke u mundësuar bizneseve vendase qasje të drejtpërdrejtë te fuqia punëtore nga Azia Lindore dhe Juglindore.

Nga hoteleria te transporti: Si po ndryshon harta e punësimit

Në kuadër të marrëveshjes me Vietnamin, parashikohet ngritja e procedurave të përbashkëta të trajnimit dhe organizimi i forumeve ekonomike për lidhjen e bizneseve shqiptare me agjencitë partnere. Projektet e aluduara flasin për ardhjen e mundshme të dhjetëra mijëra punonjësve në sektorë kritikë si hoteleria, bujqësia dhe industria përpunuese.

Ndërkaq, paktet e nënshkruara në Xhakartë me autoritetet indoneziane e përfshijnë vendin tonë në programin shtetëror "SMK Go Global", i cili synon dërgimin e krahut të kualifikuar të punës jashtë vendit, i certifikuar dhe i trajnuar me standarde ndërkombëtare.

Sipas të dhënave më të fundit administrative mbi lejet e qëndrimit: Më shumë se 59% e lejeve aktive u përkasin shtetasve të huaj që qëndrojnë për motive punësimi ose vetëpunësimi.

Shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti përbëjnë tashmë bërthamën kryesore të krahut të huaj të punës, veçanërisht në shërbime, gastronomi, transport dhe agroturizëm.

Tranzicioni i tregut të punës po zhvillohet në sfondin e të dhënave shqetësuese të censit të fundit, i cili konfirmoi një rënie me rreth 15% të popullsisë banuese në krahasim me dekadën e kaluar, i shoqëruar nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindshmërisë.

Ajo që disa vite më parë shihej si zgjidhje alternative apo episodike nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili u bënte thirrje sipërmarrësve privatë të orientoheshin nga tregjet aziatike, sot po merr trajtën e një politike zyrtare publike. Nisma që dikur niste nga iniciativa private e bizneseve sot mbështetet nga mekanizma zyrtarë shtetërorë.

Kritikët dhe ekspertët e sektorit ngrenë pyetjen se sa i qëndrueshëm është ky model. Në vend të politikave agresive për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, inspektimeve të rreptë apo lehtësirave fiskale për punëmarrësit vendas me qëllim frenimin e eksodit, autoritetet duket se po zgjedhin rrugën e zëvendësimit struktural të krahut të punës që largohet.