Lajme Zone
“Edi, kuptoje, qëndrimi në krye të qeverisë është mision i pamundur”, Lisandër Hoxha: Qytetarët e duan për ‘kurban’, Rama bën manifestin Besa
PolitikëBalkanWeb

“Edi, kuptoje, qëndrimi në krye të qeverisë është mision i pamundur”, Lisandër Hoxha: Qytetarët e duan për ‘kurban’, Rama bën manifestin Besa

Qytetarët e duan për Kurban, ndërsa ky bën manifestin Besa. Në kulturën tonë popullore, sakrifica është kult i domosdoshëm suksesi. Edhe në gjuhën e betonit, që shoku Edi e njeh mirë si të vetmin pasion të tij, e di mirë se pa prerë një dash në themele nuk ndërtohet në Shqipëri. Kështu pra, edhe qytetarët europëdashës mendojnë dhe besojnë se flijimi politik i Edi Ramës është kusht anëtarësimi. Në fakt, nuk e kanë gabim këtë gjë, sepse edhe në vende të tjera ballkanike kemi shembuj të ngjashëm para anëtarësimit.

Qytetarët e duan për Kurban, ndërsa ky bën manifestin Besa. Në kulturën tonë popullore, sakrifica është kult i domosdoshëm suksesi. Edhe në gjuhën e betonit, që shoku Edi e njeh mirë si të vetmin pasion të tij, e di mirë se pa prerë një dash në themele nuk ndërtohet në Shqipëri. Kështu pra, edhe qytetarët europëdashës mendojnë dhe besojnë se flijimi politik i Edi Ramës është kusht anëtarësimi. Në fakt, nuk e kanë gabim këtë gjë, sepse edhe në vende të tjera ballkanike kemi shembuj të ngjashëm para anëtarësimit. Prandaj, shoku Edi, kuptoje se qëndrimi në krye të qeverisë është kthyer tashmë në mision të pamundur. Siç je në dijeni, pranueshmëria publike është nën nivelet historike të një kryeministri. I njëjti fat i ka buzëqeshur edhe kolegëve të stabilokracisë, të cilët janë në nivelin minimal historik të pëlqyeshmërisë publike. Shqipëria ka një parlament nën 50% të aprovimit publik dhe, për pasojë, deputetët priten me vezë, domate dhe çdo lloj ofendimi sa herë që bëhen seanca plenare.

Kjo, me fjalë të thjeshta, do të thotë loja mbaroi! Qeverisja nuk është një kontratë borxhi ku zgjedhësi që të ka votuar është i dënuar apo peng i votës së tij për katër vite. Përkunderzi, ai mund të zhgënjehet, të pendohet dhe të kërkojë mbrapsht pushtetin e deleguar në çdo moment. Dhe, siç duket, ky është ai momenti kur edhe të majtët janë të bindur se kjo strukturë korrupsioni nuk duhet lënë asnjë sekondë më shumë në pushtet. Besa lidhet mes dikujt që populli i beson dhe jo mes popullit dhe dikujt që duan ta bëjnë kurban politik. Korrupsioni i gjithanshëm ka akumuluar aq shumë zhgënjim te shqiptarët, sa sot kërkohet përmbysja e tepsisë politike. Kjo do të thotë se legjitimitetin e secilit prej politikanëve e shohin me dyshim.

Do të duhet një sistem i ri vlerësimi për të rikonfirmuar disa të njomë mes të kalburve, dhe nuk bëhet fjalë për vazhdimin e rrugëtimit të disa stabilokratëve që i kanë tentakulat në çdo tender publik. Ky është realiteti që sot askush nga klasa politike nuk dëshiron ta lexojë. Këtë realitet nuk ka event partiak që e zbeh. Asnjë strukturë partie, sado e fortë dhe e ushqyer të jetë, nuk e zhbën dot më. Pranueshmëria në politikë është kriter ekzistencialist, pa të cilin nuk mbetesh dot në ring. Ajo lidhet me moralin politik, i cili prej kohësh është bërë peshqir për të fshirë djersën e hipokritëve politikë, që ditën vjedhin e natën denoncojnë njëri-tjetrin.

Kam besim se jo vetem protesta, e cila ua çorri skemat e komunikimit publik, por edhe drejtësia apo mekanizma të tjerë do të luajnë një rol vendimtar në zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërçi të fundit të tranzicionit tonë politik. Shqiptarët duan një politikë për njerëzit, te njerëzit dhe me njerëzit e këtij vendi.

Shqipëria e Re do të thotë, së pari, një model demokratik të funksionimit të institucioneve publike në këtë vend. Ajo do të bëhet jo thjesht sepse protestohet, por sepse mbështetja publike ndaj saj është po aq e madhe sa edhe anëtarësimi në BE.

Asnjë shpikje, betejë e porositur apo aksion nuk e zbeh dot qëllimin final të qytetarëve në Shqipëri dhe diasporë për një Shqipëri të Re. Këto ditë jemi dëshmitarë të një kapërcimi epokal të mënyrës se si do të bëhet politikë në vendin tonë. Ndryshimi tashmë nuk është vetëm një dëshirë, por një aksion i cili sa vjen e rritet. Zoti e bekoftë rininë tonë! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama Flamingo Revolution Lisandër Hoxha protestat Revolucioni Flamingo