Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Edhe armiku nuk e bën këtë!”, Asllan Dogjani shpërthen ndaj policisë: Dhuna ndaj protestuesve e ndezi më shumë revoltën


Në një intervistë për News24,  Asllan Dogjani ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës studentore në Tiranë, duke e cilësuar dhunën ndaj demonstruesve të plagosur dhe të ndaluar si të papranueshme dhe jashtë kufijve të ligjit.

Në një intervistë për News24, Asllan Dogjani ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës studentore në Tiranë, duke e cilësuar dhunën ndaj demonstruesve të plagosur dhe të ndaluar si të papranueshme dhe jashtë kufijve të ligjit. Dogjani u ndal te pamjet e përplasjeve të një dite më parë, duke theksuar se përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe se asnjë rrethanë nuk e justifikon dhunën ndaj personave që janë neutralizuar. Ish-deputeti demokrat bëri një krahasim me trajtimin e personave të plagosur gjatë luftës, duke theksuar se edhe ata që kapen si kundërshtarë duhet të marrin ndihmën dhe kujdesin e nevojshëm. “Dje u tejkaluan në atë farë feje, dhuna e policisë ishte e pamëshirshme. Në luftë, ai që plagoset kapet si armik, merret, trajtohet, shërohet, ndërsa këtu, megjithëse ai ishte i plagosur, goditej dhe dhunohej. Dhe këtë nuk e bën as armiku. Këta janë njerëz, janë shqiptarë këta”, u shpreh Dogjani. Ai theksoi se policia ka të drejtën ligjore të përdorë forcën në ushtrimin e detyrës, por kjo e drejtë, sipas tij, nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën ndaj protestuesve të ndaluar. “Ata e kanë me ligj përdorimin e forcës, por jo të dhunojnë protestuesit që kanë kapur, t’i bëjnë në atë farë feje”, deklaroi ai.

Sipas Dogjanit, ndërhyrja e policisë ka pasur efekt të kundërt nga ai që mund të synohej, duke shtuar zemërimin e qytetarëve dhe numrin e pjesëmarrësve në protestë.

“Ajo dhunë që u shtri dje, duke tejkaluar në mënyrë të paligjshme, bëri që të shtohej numri i protestuesve”, përfi Dogjani.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protesta studentore në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ndërsa mënyra e ndërhyrjes së policisë dhe trajtimi i protestuesve të ndaluar vijojnë të jenë pjesë e debatit publik. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb