Dy vite pa pushim, dy vite në Europë, trofe dhe një video që bëri xhiron e botës. Por për Dinamon, këtë sezon nuk mjaftohet më thjesht me prezencën, objektivi është vendosur qartë, titulli kampion. “Jo, nuk kam frikë. Nuk kam frikë asnjë ekip. Dinamo është Dinamo! Dinamo është e Tironës! Dhe Dinamo këtë vit, plani kryesor është fitimi i kampionatit. Objektivi kryesor është fitimi i kampionatit”, tha Bardhi.
Një Dinamo që, sipas presidentit Bardhi, duhet të vazhdojë projektin me Ilir Dajën, trajnerin që ai e konsideron një nga faktorët kryesorë edhe në rritjen e vlerës së lojtarëve.
“Puna e Dajës reflektohet edhe në shitjen e lojtarëve që Dinamo sot ka shitur në klube shumë të rëndësishme… Është një rezultat i Dajës, i grupit tonë, të gjithë bashkë”, tha Bardhi.
Dhe në këtë projekt, presidenti thotë se rolet janë të qarta: ai nuk është nga ata presidentë që bëjnë formacionin. Në merkato, filtri është Daja.
“Kemi gjetur këtë simfoninë që po funksionon në mënyrë të jashtëzakonshme në këtë kombinim President dhe Profesor Daja”, tha Bardhi.
Ndërkohë, fama e videos së festës në dhomat e zhveshjes i ka sjellë presidentit edhe mesazhe të pazakonta nga Italia.
“Më kanë thënë, hajde, do të drejtosh klubet italiane!”, tha Bardhi.
Por Bardhi nuk lë vend për dyshime.
“Jo, jo, unë jam këtu. Do ec me Dinamon. Do vazhdoj projektin e Dinamos, sa të kem mundësi”, tha Bardhi.
Dhe këtu vjen premtimi më i madh për tifozët. Dinamo numëron 18 tituj kampionë. Për yllin e dytë në fanellë duhen 20.
“Këtë do t’ua premtoj të gjithë dinamovitëve, që yllin e dytë do t’ia vë në fanellë. Në drejtimin tim”, tha ai.
Dy Kupa Republike, një Superkupë dhe dy vite radhazi në Europë. Por këtë herë Dinamo nuk dëshiron vetëm të shkojë te burimi.
“Kemi shkuar te burimi, po s’kemi pirë ujë”, tha ai.
Shënim – Ky material është ekskluziv i Top Channel. Ndalohet riprodhimi, publikimi apo përdorimi i tij, i plotë ose i pjesshëm, pa autorizim dhe pa përmendur burimin. Top Channel

