Detaje të reja dalin në dritë nga hetimi për vrasjen e Lulieta Obzovës në Nea Smyrni, e cila dyshohet se u vra nga partneri i saj, shqiptari me origjinë nga Tirana, Altin Allmuça.
Hetimet vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin dinamikën e ngjarjes dhe marrëdhënien mes viktimës dhe 48-vjeçarit.
Në fokus janë provat e sekuestruara në banesë, të dhënat e telefonave celularë, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas mediave greke, hetuesit kanë në dispozicion një video që dokumenton lëvizjet brenda ndërtesës pak para se të dëgjoheshin të shtënat.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se 48-vjeçari kishte lënë një person tjetër jashtë banesës së viktimës, me qëllim që të vëzhgonte momentin kur ajo do të dilte.
Kur gruaja hapi derën e apartamentit, dyshohet se autori e kërcënoi me armë dhe e detyroi të ulej në gjunjë. Më pas, ai dyshohet se qëlloi dy herë. Plumbi i parë nuk e preku, ndërsa i dyti rezultoi fatal.
Një tjetër pistë që po hetohet nga autoritetet lidhet me kërcënime të mundshme të mëparshme ndaj viktimës. Sipas informacioneve të bëra publike, gruaja kishte frikë për sigurinë e saj dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur, përfshirë edhe ndryshimin e bravave të banesës ku jetonte me vajzën e saj të mitur.
Hetuesit kanë zgjeruar kontrollet edhe në automjetin e 48-vjeçarit. Sipas burimeve, aty janë gjetur fishekë të të njëjtit kalibër me ato që dyshohet se janë përdorur në krim, ndërsa vijojnë kërkimet për të përcaktuar me saktësi armën e përdorur në vrasje.

