Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Kamëz, ku një i ri ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike. Sipas të dhënave zyrtare nga policia, rreth orës 20:00 është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës shtetasi me iniciale R. T., rreth 27 vjeç. I riu ndodhej në banesën e xhaxhait të tij, në rrugën “Adriatik” në lagjen nr. 5 në Kamëz, ku po rregullonte depozitën e ujit mbi çatitë e ndërtesës. Gjatë punës, dyshohet se ai ka rënë aksidentalisht në kontakt me telat e linjës elektrike të tensionit të lartë që ndodheshin mbi banesë. Si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra nga goditja elektrike, 27-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë pak kohë pas mbërritjes në spital. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

