E qeshura mund të jetë vërtet “ilaçi më i mirë” për disa njerëz, pasi një studim ka treguar se mund të lehtësojë vështirësitë në frymëmarrje po aq mirë sa ushtrimet standarde të frymëmarrjes te pacientët me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Studiuesit thanë se terapia përmes të qeshurës, e cila është e thjeshtë dhe me kosto të ulët, mund të jetë po aq efektive sa ushtrimet tradicionale të frymëmarrjes dhe të plotësojë trajtimin ekzistues për pacientët me SPOK.Lexo edhe:Alzheimeri /Një ilaç eksperimental synon ta parandalojë te personat e shëndetshëm, por të predispozuar Rreth 1.7 milionë njerëz në Britani mendohet se jetojnë me SPOK, ndërsa rreth 600 mijë prej tyre nuk janë diagnostikuar. Studimi përfshiu 63 pacientë me SPOK në Spitalin e Qytetit të Ankarasë Bilkent në Turqi. Një e treta iu nënshtrua terapisë së të qeshurës, ndërsa pjesa tjetër kreu ushtrime të frymëmarrjes përmes buzëve të mbledhura ose nuk kreu asnjë ushtrim. Pacientët ndoqën seanca 30-minutëshe, tri herë në javë për tetë javë. Rezultatet treguan se si terapia e të qeshurës, ashtu edhe ushtrimet e frymëmarrjes përmes buzëve të mbledhura përmirësuan frymëmarrjen krahasuar me pacientët që nuk bënë ushtrime. Një qasje më gjithëpërfshirëse Dr. Goncagul Aldan, nga Universiteti Hacettepe në Ankara, tha se pacientët me SPOK shpesh kanë vështirësi në frymëmarrje edhe gjatë aktiviteteve të thjeshta të përditshme, gjë që ul cilësinë e jetës. Sipas saj, trajtimi i SPOK kërkon më shumë se vetëm ilaçe dhe duhet të përfshijë edhe mënyra të thjeshta për t’i ndihmuar pacientët të përballojnë ndikimin fizik dhe emocional të sëmundjes. Efektet pozitive të terapisë së të qeshurës dhe ushtrimeve të frymëmarrjes vazhduan edhe një muaj pas përfundimit të programit. Studiuesit thonë se e qeshura mund të aktivizojë muskujt e frymëmarrjes, të ndihmojë në nxjerrjen më të thellë të ajrit dhe të nxisë çlirimin e endorfinave, duke sjellë lehtësim fizik dhe emocional. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar saktësisht se si e qeshura ndikon te simptomat e SPOK. Emma Rubach, nga Asthma + Lung UK, tha se terapia e të qeshurës duket një mënyrë argëtuese, e thjeshtë dhe e aksesueshme për t’i ndihmuar pacientët me SPOK të kontrollojnë simptomat, megjithëse nevojiten studime më të mëdha. /Telegraph – Syri.net

