Lajme Zone
E papritur, Euro në rritje pas dy javësh rënieje
SportJOQ Albania

E papritur, Euro në rritje pas dy javësh rënieje

Euro e ka mbyllur javën në rritje ndaj lekut.

Euro e ka mbyllur javën në rritje ndaj lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të premten një euro u këmbye me 91.97 lekë, rreth 0.5 lekë më shumë se të enjten. Ky është niveli më i lartë i kursit euro-lek në dy javët e fundit.

Sipas agjentëve të tregut, rritje të tilla të shpejta zakonisht lidhen me operacione të veçanta të blerjes së valutës në shuma të mëdha. Në këto raste, rritja e kërkesës mund të sjellë një mbiçmim të përkohshëm të euros, i cili zakonisht korrigjohet brenda pak ditësh.

Një rikuperim i lehtë i euros pas përfundimit të sezonit veror mund të jetë gjithashtu i pritshëm. Megjithatë, këtë vit dobësimi i monedhës europiane ka vijuar edhe gjatë shtatorit, duke e çuar kursin në nivele minimale historike. Në terma vjetorë, rënia e euros gjatë këtij muaji i është afruar 6%.

Forcimi i lekut po mbështetet edhe nga përmirësimi i treguesve të jashtëm të ekonomisë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 361 milionë euro, 40.6% më pak se një vit më parë dhe niveli më i ulët për një gjashtëmujor që prej vitit 2018. Rënia është ndikuar kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe remitancave.

Edhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje të fortë. Në tremujorin e dytë ato arritën në 741 milionë euro, 86% më shumë se një vit më parë, ndërsa për gjashtëmujorin kapën 1.144 miliardë euro, me rritje 50%.

Një tjetër faktor është suficiti i lartë buxhetor. Për tetëmujorin 2026, suficiti arriti në 61.6 miliardë lekë, 52% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në këtë panoramë, rritja e euros gjatë ditëve të fundit duket e lidhur më shumë me faktorë afatshkurtër, ndërsa tendenca e përgjithshme e kursit gjatë vitit vijon të favorizojë lekun.