Lajme Zone
“E diell”/ Historia misterioze e Mark Doda Kapidanit, rrëfimi i rrallë i nipit të tij, muzikanti Markelian Kapidani
KulturëTop Channel

“E diell”/ Historia misterioze e Mark Doda Kapidanit, rrëfimi i rrallë i nipit të tij, muzikanti Markelian Kapidani

Këtë javë i ftuar në “E Diell” në Top Channel, në rubrikën “Galeria” me Edi Manushin, ishte muzikanti Markelian Kapidani.

Këtë javë i ftuar në “E Diell” në Top Channel, në rubrikën “Galeria” me Edi Manushin, ishte muzikanti Markelian Kapidani. Kompozitori shkodran rrëfen jetën e tij, historinë dhe prejardhjen e familjes Gjonmarkaj, fillimet e studimeve në Shkodër dhe pastaj emigrimi drejt Italisë.

Në një pjesë të bisedës, ai rrëfeu edhe historinë misterioze të Mark Doda Kapidani, gjyshit të tij. “Familja e Gjomarkajve është trashëgimtare e Kanunit të Lekë Dukagjinit, ose, si të thuash, trashëgimtare e kësaj tradite. Familja e Gjomarkajve është e lidhur ngushtë me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ne jemi vërtet Gjomarkaj, por nuk e ruajmë më atë ndjeshmëri të dikurshme. Për shembull, çdo pinjoll i familjes Gjomarkaj ka për të mbajtur gjatë gjithë jetës titullin kapidan. Edhe, nga ky titull, disa prej kapedanëve të Mirditës e marrin këtë si emër. Ky është rasti i gjyshit tim dhe i degës sonë, sepse familja e Gjomarkajve ndahet në tri degë.

Gjyshi im ka qenë politikan. Në kohën e Turqisë ka qenë kajmekam i Lezhës, më vonë ka qenë deputet i Shkodrës në parlamentin e Zogut.

Sipas gazetave të kohës, ai ka qenë një politikan i rëndësishëm, por edhe një personazh i rëndësishëm për vetë familjen.

Në një moment, gjyshi im ka filluar të shkruante emrin e tij jo më si Gjomarkaj, pra Mark Gjomarkaj, por si Mark Doda Kapidani. Ky është një mister që ende sot nuk e di mirë.

Por di një gjë, Prenk Bibë Doda, që ka qenë princi i madh i kapedanëve, nuk ka pasur fëmijë. Në një moment, sipas dokumenteve që kam, edhe kur gjyshi im ka qenë student në Itali, emri i tij shkruhej Marko Doda Kapidani.

Nga sa më kanë thënë të moshuarit, gjyshi im ka qenë, në njëfarë mënyre, i përkëdheluri i princit të madh.

Por kjo është një histori që duhet zbardhur. Normalisht, jo nga familjarët, por nga historia jonë. Sepse historia e Gjomarkajve është përgjithësisht e rëndësishme, jo vetëm për veriun e Shkodrës, por edhe për historinë e popullit shqiptar”, u shpreh ai. Top Channel