Një episod i pazakontë i vitit 2023 tregon më së miri se sa larg ka shkuar përkushtimi i Natalie Harp ndaj Donald Trump. Sipas CNN, kur stafi i Trump po përgatitej ta shoqëronte presidentin e atëhershëm në një seancë gjyqësore në Nju Jork, nuk kishte më vend për Harp në autokolonë. Ajo këmbënguli se Trump e kishte kërkuar personalisht praninë e saj dhe, pasi nuk iu gjet një vend, u fut në bagazhin e një SUV-je për të mos mbetur pas. Episodi, i raportuar tani për herë të parë, është vetëm një nga shembujt e marrëdhënies së veçantë të Harp me presidentin amerikan.
Ish-prezantuesja e një televizioni konservator, 35-vjeçarja është shndërruar në një prej njerëzve më të pranishëm pranë Trumpit, duke përcjellë mesazhe, duke përgatitur postime për Truth Social, duke printuar artikuj që mund t’i interesojnë presidentit dhe duke organizuar kontakte me aleatë e politikanë.
Harp iu bashkua stafit të Trumpit në vitin 2022, pasi e kishte cilësuar atë si personin që i kishte shpëtuar jetën. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, ajo e ndiqte Trumpin në aktivitetet e tij në të gjithë vendin dhe i sillte vazhdimisht artikuj, materiale dhe postime në rrjetet sociale.
Pikërisht për këtë arsye, aleatët e Trumpit nisën ta quanin “Human Printer” – “Printerja Njerëzore”.
“Trumpit i pëlqen vëmendja dhe fakti që ajo është 100 për qind e përkushtuar dhe besnike. Ajo nuk dyshon dhe nuk vë në pikëpyetje”, tha për CNN një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.
Një ligjvënës republikan tha se, edhe kur arrin të kontaktojë drejtpërdrejt me Trumpin, sigurohet gjithmonë që Harp të jetë në dijeni. Sipas disa burimeve të cituara nga CNN, prania e vazhdueshme e Harp nuk është pritur gjithmonë mirë nga pjesëtarë të tjerë të stafit.
Në disa raste, këshilltarë që kanë kërkuar takime private me Trumpin kanë gjetur Harp të pranishme në dhomë. Burimet thonë gjithashtu se ajo u ka bërë të ditur disa punonjësve se raporton vetëm te Trumpi, duke shkaktuar tensione me zinxhirin zyrtar të komandës në Shtëpinë e Bardhë.
Një zyrtar i administratës i ka minimizuar këto pretendime, duke thënë se Harp bashkëpunon mirë me pjesën më të madhe të kolegëve dhe përcjell informacionin te personat përkatës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e ka mbrojtur publikisht atë, duke e cilësuar si “një nga ndihmëset më besnike dhe më punëtore” të Trumpit.
Roli i Harp është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të senatorit demokrat Jon Ossoff, i cili e përmendi atë gjatë një fjalimi kritik ndaj Trumpit. Komentet shkaktuan reagim të ashpër nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa emri i Harp u bë viral në rrjetet sociale. Persona pranë Shtëpisë së Bardhë e kanë cilësuar marrëdhënien mes Trumpit dhe Harp si “atë të një babai me vajzën”, duke mohuar çdo insinuatë tjetër.
Megjithatë, sipas CNN, edhe mes zyrtarëve që prej kohësh janë të shqetësuar për ndikimin e saj të pazakontë, nuk ka pritshmëri që vëmendja e fundit publike të dobësojë pozitën e Harp pranë presidentit.
Një tjetër episod tregon këtë afërsi: kur Trump publikoi dhe më pas fshiu një video kontroverse në Truth Social, disa prej aleatëve të tij dyshuan privatisht se Harp mund të kishte qenë përgjegjëse për publikimin, pasi ajo ishte ndër personat e paktë me akses në llogarinë e presidentit. Megjithatë, sipas CNN, ata hezituan ta akuzonin publikisht, nga frika se kjo do ta bënte Trumpin edhe më mbrojtës ndaj saj. Top Channel

