Dy aksidente rrugore janë shënuar paraditen e sotme në Bulqizë, brenda një harku kohor prej rreth 20 minutash, duke lënë të plagosur tre persona. Siç raporton korrrespondenti i Top Channel Dëfrim Karaj, aksidentet janë regjistruar në vendin e quajtur Vajkal dhe në zonën e Pishave, në Fushë-Bulqizë.
Mësohet se kanë qenë drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidente ata që kanë njoftuar ambulancën dhe Policinë. Shërbimet kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve, të cilët më pas janë transportuar drejt Spitalit të Bulqizës.
Sipas mjekëve, njëra prej të plagosurave, për shkak të gjendjes dhe nevojës për trajtim më të specializuar, është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, dy personat e tjerë ndodhen në Spitalin e Bulqizës dhe kanë marrë dëmtime të lehta.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e dy aksidenteve, ndërsa vijojnë verifikimet në vendngjarje. Top Channel

