Lajme Zone
Dyshime për helmim në një kopsht në Korçë/ Rreth 20 fëmijë me simptoma, prindërit kërkojnë hetime
EkonomiSyri

Dyshime për helmim në një kopsht në Korçë/ Rreth 20 fëmijë me simptoma, prindërit kërkojnë hetime

Një situatë shqetësuese është regjistruar në një kopsht fëmijësh në qytetin e Korçës, ku disa fëmijë kanë shfaqur simptoma gastrointestinale pas konsumimit të ushqimit në ambientet e kopshtit.

Një situatë shqetësuese është regjistruar në një kopsht fëmijësh në qytetin e Korçës, ku disa fëmijë kanë shfaqur simptoma gastrointestinale pas konsumimit të ushqimit në ambientet e kopshtit. Fillimisht, gjashtë fëmijë u paraqitën në Spitalin Rajonal të Korçës me simptoma të ngjashme, ndërsa gjatë orëve në vijim dyshimet e prindërve janë shtuar, pasi edhe fëmijë të tjerë kanë shfaqur probleme shëndetësore, ndonëse nuk janë dërguar në spital.Lexo edhe:Temperaturat deri në 27 gradë, ja si do të jetë moti sot Sipas të dhënave të bëra publike, fëmijët që janë paraqitur në spital i përkasin të njëjtit kopsht dhe, në një pjesë të rasteve, të njëjtit grup. Ata janë dërguar në spital disa orë pasi kishin konsumuar drekën në kopsht, ndërsa prindërit kanë ngritur dyshimet për një problem të mundshëm me ushqimin pasi kanë konstatuar se simptomat ishin të ngjashme dhe se rastet po shfaqeshin njëri pas tjetrit. Në menunë e drekës, sipas dëshmive të prindërve, fëmijët kishin konsumuar pilaf, ndërsa njëri prej prindërve ka deklaruar se në ushqim kishte edhe copa mishi pule dhe kos. Në mëngjes, fëmijët kishin konsumuar bukë me vezë. Një prej prindërve, Koço Xexo, ka rrëfyer përjetimin e tij pas shfaqjes së simptomave tek djali i tij. "Fëmijën e morëm nga kopshti rreth orës 1:30 që mbaron ajo pjesa e fëmijëve që rrinë pa gjumë. Për momentin na tha që kishte pak shqetësime me me barkun, po në rastet e këtyre fëmijëve kaq të vegjël është një gjë që e thonë më shpesh. Më pas fjeti, u qetësua dhe kur u ngrit, u ngrit direkt edhe kishte të vjella. Të vjellat nisën, u bënë më periodike dhe më të shpeshta më vonë dhe arritëm deri në fazën që na u duk shumë shqetësuese sepse fëmija humbi pothuajse edhe fuqinë fare, u bë na u zverdh shumë edhe u bë shumë shqetësuese. Edhe u nisëm që në atë moment drejt spitalit të Korçës ku morëm trajtim. Djali im ishte një çikë më shumë i avancuar, mori një trajtim një çikë më të plotë, ndërkohë që duke diskutuar dhe me prindërit e tjerë dëgjuam që kjo gjë kishte ndodhur pothuajse masivisht në të gjithë fëmijët e kopshtit. Dikush me simptoma më të lehta, dikush me simptoma më të rënda. Aty me sa pashë vajtën dhe diku te 5-6 fëmijë të tjerë të cilët u trajtuan në spital. Fëmijët me sa na tha djali kishte pilaf, që dyshohet siç më tha dhe ai kishte dhe copa mish pule, kos, ndërkohë që dhe në mëngjes kishte ngrënë bukë me vezë. Mjekja,djalit tim të paktën i bëri analiza të plota sepse ishte pak shqetësuese në fillim dhe doli që kishte helmim më tha nga produktet ushqimore, dyshonte për këtë. Ndërkohë që dhe analizat treguan që kishte rruaza të larta të bardha të gjakut që tregonte që kishte një vështirësi më shumë në organizëm nga kjo punë, nga helmimi. Më pas morëm edhe trajtime të tjera për në shtëpi kur e nxorëm. Mund të kemi qëndruar mbi 5-6 orë në spital dhe e pamë që u përmirësua pak situata. Morëm dhe disa trajtime të tjera, na bëri dhe pak temperaturë në darkë, po duke kaluar orët pati një lehtësim. Nga drejtoresha nuk arritëm dot të merrnim asnjë kontakt asnjë nga prindërit, ndërkohë që edukatorja e grupit të kopshtit u shfaq e shqetësuar, e interesuar, erdhi në ambientet e spitalit duke u interesuar për të gjithë fëmijët. Atë që kishte kompetencë ajo e bëri se deri më shumë nuk ka për të bërë në dorë, kurse nga pjesët e tjera të kopshtit pothuajse nuk morëm kontakt fare. Shumë prindër tentuan ta telefononin disa herë drejtoreshën dhe nuk patën asnjë lloj përgjigje nga telefoni. Jo, nuk e hapi fare. Me sa dëgjuam nga ato zonjat. Pastaj në qoftë se të tjerët kanë arritur dikush ta kontaktojë nuk e di, po një pjesë e madhe e ne prindërve që ishim aty nuk arritëm dot të merrnim kontakt. Si fillim duhet që të shohim çfarë problemi ka patur, që të kuptojmë më mirë se çfarë problemi kishin fëmijët dhe më pas pastaj patjetër që kur të merren masat e duhura do përpiqemi ta shpiem prapë. Me shifër të saktë nuk e di, me përafërsi mendoj se mund të jenë diku te 20 fëmijë. Me sa dëgjova nga të gjithë prindërit që u interesuam, një pjesë ishim në një gjendje që morëm trajtim në spital, por të gjithë shfaqën simptoma, dikush më të lehta, dikush më të rënda, por që pothuajse të gjithë shfaqën simptoma. Madje një pjesë e shfaqën edhe ditën pasardhëse. Unë nuk besoj se mund të jetë një gjë me qëllim, ose mund të jetë diçka nga pakujdesia ose nga kontrolli i produkteve të para që merren. Puna është që ata janë fëmijë shumë të vegjël edhe situata të tilla i rëndojnë shumë organizmin dhe për hir të së vërtetës në momentet e para u trembëm pak për gjithçka ndodhi. Kështu që kërkojmë që të paktën të jetë kujdesi një çikë më i lartë, sidomos edhe te fëmijët, edhe të shtohen pak ndoshta më shumë kontrollet ose dhe përgjegjësia e njerëzve që janë afër fëmijëve, sepse janë pothuajse të pambrojtur në moshën që janë", u shpreh Xexo. Ajo që ka shqetësuar më shumë prindërit është fakti se simptomat nuk janë shfaqur vetëm tek një apo dy fëmijë. Sipas dëshmive të mbledhura prej tyre, një numër i konsiderueshëm fëmijësh kanë pasur probleme shëndetësore pas qëndrimit në kopsht. Disa janë dërguar në spital, ndërsa të tjerë janë mbajtur në shtëpi dhe janë trajtuar nga familjarët. Ndërkohë, Policia e Korçës ka nisur procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.Në njoftimin zyrtar të DVP Korçë bëhet me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar penalisht, në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dy shtetase: një mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë, dhe drejtoreshën e kopshtit ku qëndronin fëmijët. Policia bën me dije se mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për rastet, ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët. Prindërit kërkojnë që institucionet përgjegjëse të kryejnë kontrolle të plota dhe të mos mbetet asnjë pikë pa u verifikuar. Ata kërkojnë që të kontrollohen ushqimet e konsumuara nga fëmijët, mënyra e ruajtjes dhe përgatitjes së tyre, kushtet e kuzhinës, enët dhe pajisjet e përdorura, si dhe të kryhen analizat përkatëse për të përcaktuar nëse ka pasur apo jo kontaminim ushqimor.