Kur koncesioni 100 milionë euro i sterilizimit dhe dializa përfunduan, qeveria premtoi rikthimin e shërbimit në duart e shtetit. Por në vend të transparencës, investigimi zbulon një skemë shqetësuese të kapjes së institucioneve të reja nga e njëjta vatër interesi, ajo e Spitalit Amerikan!
Për ta menaxhuar këtë aset jetik, në dhjetor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave ngriti shoqërinë shtetërore OSHIS sh.a. (Operator i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit), në pronësi të plotë të ministrisë. që të administrojë Stacionin Qendror të Sterilizimit në QSUT dhe të koordinojë të gjithë zinxhirin e furnizimit për spitalet publike të vendit.
Në janar të vitit 2026, me mandat deri në vitin 2029, në krye të OSHIS sh.a. u emërua Arisa Cane. Ajo ka punuar si embriologe në departamentin e Fertilizimit In Vitro (IVF) pranë Spitalit Amerikan. Ministrja Evis Sala, ish-rektore e universitetit të themeluar nga oligarku i shëndetësisë Klodian Allajbeu, duket se ka ndërtuar një urë të pathyeshme lidhëse mes strukturave shtetërore dhe interesave të dikurshme private.
Kështu që le ta gëzojmë një tjetër "sukses" historik të reformave shtetërore! Sot Sala, doli para kamerave krah për krah me administratoren e re të OSHIS-it, Arisa Cane, ish-punonjëse e Spitalit Amerikan.
Me një kimi që do ta kishte zili çdo telenovelë e ekranit, dy ish-koleget e sektorit privat po i shpjegonin njëra-tjetrës, dhe sigurisht publikut, se sa "shkëlqyeshëm" e kanë organizuar punën që paratë e taksapaguesve, Programi i Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-Up), dializa dhe i gjithë buxheti i shëndetësisë të kalojnë nga xhepi i shtetit direkt tek rrethi i ngushtë i Spitalit Amerikan.
Më në fund, shteti po tregon një eficiencë të paparë: çfarë nuk bëri dot privati për vite me radhë, e bëjnë ish-punonjëset e tij duke u veshur thjesht me kostumin e zyrtares shtetërore. Rastësi? Meritokracitë e kësaj toke qeshin me lot përpara kësaj "koincidencë" gjeniale!
Kur në krye të këtij institucioni që shpërndan tenderët e sterilizimit vendoset një ish-punonjëse e Spitalit Amerikan, ndërsa ministrja e linjës vjen nga e njëjta çerdhe korporative, pyetja nuk është më nëse bëhet fjalë për rastësi, por për një model të paramenduar të kapjes së shtetit.
Prania e ish-kuadrove dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Spitalit Amerikan në kupolën e OSHIS dhe Ministrisë së Shëndetësisë ngre alarmin se paratë e taksapaguesve shqiptarë po kalojnë nga një xhep privat në tjetrin, nën ombrellën e një fasade shtetërore.

