Foto ilustruese Edi Rama dhe Sali Berisha po përballen me një revoltë që kërcënon të prishë ekuilibrat e politikës shqiptare. Studentët dhe qytetarët kanë dalë në rrugë me thirrjen “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke refuzuar njëkohësisht pushtetin dhe opozitën e vjetër. Edhe sot Berisha dërgoi deputetët e tij, por u përball me rezistencë... Edi Rama dhe Sali Berisha kanë një problem të përbashkët: revoltën qytetare që po zhvillohet në Tiranë. Për herë të parë pas shumë kohësh, pakënaqësia nuk po kanalizohet automatikisht drejt njërës prej dy forcave të mëdha politike. Studentët dhe qytetarët që kanë dalë në rrugë po artikulojnë një kërkesë që godet në zemër të sistemit të vjetër: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Kjo thirrje është shumë më tepër sesa një slogan proteste. Ajo përfaqëson refuzimin e një klase politike që prej dekadash ka dominuar vendin, duke e mbajtur debatin publik të mbërthyer mes dy emrave, dy partive dhe të njëjtave përplasje. Është një mesazh që nuk kërkon thjesht rotacion pushteti, por një alternativë tjetër për Shqipërinë.
Dhe pikërisht këtu duket se nis paniku politik i dy “bajlozëve”. Rama dhe Berisha kanë nevojë për njëri-tjetrin si kundërshtarë. Kryeministri e ka përdorur prej vitesh figurën e Berishës për të mobilizuar elektoratin kundër rikthimit të së shkuarës, ndërsa kreu i PD-së e ka ndërtuar strategjinë e tij politike mbi betejën kundër Ramës. Në këtë përplasje të pafundme, secili i jep tjetrit një arsye për të qëndruar në skenë.
Por revolta e studentëve po e sfidon këtë mekanizëm. Ajo nuk pranon të bëhet pjesë e lojës ku njëri duhet të largohet që tjetri të rikthehet. Përkundrazi, po kërkon që të dy të mbajnë përgjegjësi politike për gjendjen ku ndodhet vendi.
Zhvillimet e kësaj të shtune e treguan qartë këtë përplasje. Partia Demokratike tentoi sërish të bëhej pjesë e protestës, duke dërguar në terren deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, të shoqëruar nga mbështetës të opozitës. Por përpjekja për t'iu bashkuar revoltës u përball me refuzimin e një pjese të studentëve, të cilët kërkuan largimin e përfaqësuesve politikë nga tubimi.
Pamjet dhe thirrjet e protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit dhanë një mesazh të drejtpërdrejtë: kjo nuk është protesta e Berishës dhe as një instrument që Partia Demokratike mund ta përdorë për të marrë pushtetin. Qytetarët nuk kanë dalë në rrugë për t'i dhënë një tjetër mundësi një lideri që ka qenë pjesë e pushtetit për dekada.
Përpjekja e PD-së për t'u futur në protestë i shërben njëkohësisht edhe narrativës së Edi Ramës. Sa herë që Berisha dhe njerëzit e tij tentojnë të identifikohen me revoltën, kryeministri fiton mundësinë ta paraqesë atë si një tjetër aksion të opozitës tradicionale. Në këtë mënyrë, pakënaqësia qytetare rrezikon të humbasë identitetin e saj dhe të reduktohet në përplasjen e zakonshme Rama-Berisha.
Ky është paradoksi i madh i politikës shqiptare: Berisha pretendon se kërkon largimin e Ramës, por përpjekja e tij për të marrë drejtimin e çdo proteste kundër qeverisë mund të bëhet një nga argumentet që e ndihmojnë kryeministrin të ruajë pozitat. Ndërsa Rama, duke e identifikuar kundërshtimin qytetar me Berishën, shmang përballjen me arsyet reale të pakënaqësisë.
Nga ana tjetër, kryeministri ka zgjedhur një gjuhë përballjeje me lëvizjen studentore. Sulmet dhe etiketimet ndaj protestuesve dhe figurave të lidhura me revoltën, përfshirë Arlind Qorin, kanë qenë pjesë e reagimit të tij politik. Në vend që kërkesat e studentëve të vendosen në qendër të debatit, përplasja është zhvendosur te delegjitimimi i atyre që protestojnë.
Edhe prania e shtuar e forcave policore, përfshirë njësitë speciale dhe automjetet ujëhedhëse gjatë tensioneve të sotme, e ka vendosur revoltën përballë një tjetër prove. Për një qeveri që pretendon se dëgjon qytetarët, përgjigjja ndaj pakënaqësisë nuk mund të kufizohet te retorika sulmuese dhe demonstrimi i forcës. Detyra e policisë është të garantojë rendin, por edhe të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Ndërkohë, Berisha po përballet me një problem edhe më të thellë. Partia Demokratike, që duhet të ishte alternativa kryesore ndaj një qeverie të konsumuar nga vitet e gjata në pushtet, vijon të mbështetet te një lider 82-vjeçar, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe dhe që përballet me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon.
Nëse PD do të kishte arritur të ndërtonte një alternativë bindëse dhe të besueshme për shumicën e shqiptarëve, pushteti i Ramës do të ishte përballur prej kohësh me një sfidë shumë më serioze. Por opozita ka mbetur e lidhur me të njëjtën figurë, të njëjtat beteja dhe të njëjtën strategji politike, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë që pakënaqësia ndaj qeverisë të shndërrohet në mbështetje për të.
Kjo është arsyeja pse një revoltë e pavarur qytetare mund të jetë po aq problematike për Berishën sa edhe për Ramën. Nëse në Shqipëri do të merrte formë një lëvizje e gjerë, e ngjashme me mobilizimin studentor dhe qytetar në Serbi, që të krijonte një alternativë të re politike, Partia Demokratike do të ishte ndër të parat që do të përballej me krizën e ekzistencës së saj si opozita kryesore.
Sepse problemi i Shqipërisë nuk është vetëm që Rama qëndron prej vitesh në pushtet. Problemi është edhe se përballë tij nuk është krijuar një alternativë politike që të bindë qytetarët se ndryshimi nuk do të thotë thjesht rikthim te e shkuara.
Një forcë e re, e dalë nga pakënaqësia qytetare dhe jashtë kontrollit të dy partive tradicionale, do ta sfidonte drejtpërdrejt këtë ekuilibër. Ajo do t'i hiqte Ramës argumentin e përhershëm të rrezikut të rikthimit të Berishës dhe njëkohësisht do t'i hiqte Berishës monopolin e pretenduar mbi opozitarizmin.
Rama dhe Berisha mund të vijojnë ta sulmojnë njëri-tjetrin çdo ditë, por përballë një lëvizjeje që kërkon largimin e të dyve, interesat e tyre politike duket se afrohen. Njëri ka interes ta paraqesë revoltën si një aksion partiak, tjetri ka interes ta kthejë atë në një aksion të vetin. Në të dyja rastet, ajo që rrezikon të humbasë është zëri i pavarur i qytetarëve.
Dhe këtu qëndron beteja e vërtetë e kësaj revolte. Jo vetëm të sfidojë qeverinë, por të mos lejojë që pakënaqësia e qytetarëve të përvetësohet nga ata që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada.
Sepse nëse protesta përfn sërish në duart e Berishës, Rama do të ketë përballë kundërshtarin që njeh dhe që ka mundur politikisht në zgjedhjet e fundit. Nëse, përkundrazi, ajo arrin të ruajë pavarësinë dhe të ndërtojë një alternativë të re, atëherë sfida nuk do të jetë më thjesht për qeverinë, por për të gjithë sistemin politik.
Thirrja “Rama n’burg, Berisha n’burg” e ka bërë të qartë mesazhin e atyre që e artikulojnë: nuk duan të zgjedhin mes dy figurave të vjetra. Duan një rrugë tjetër.
Dhe kjo është pikërisht ajo që dy “bajlozët” e politikës shqiptare kanë më shumë arsye t'i tremben. /Pamfleti berisha rama Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Bashkia e Tiranës, “thela” e madhe që po përplas ujqërit në PS; Rama nis izolimin e “Lalit” para zgjedhjeve 30 Tetor 2026, 16:4016:40Dosja e zezë Nga inceneratori i Tiranës te Rruga e Arbrit, koncesionet do të gllabërojnë miliarda edhe gjatë 2027-ës 29 Tetor 2026, 18:3318:33Dosja e zezë Parlamenti ose “Kupa me kapak, kupa pa kapak” 29 Tetor 2026, 14:2214:22Dosja e zezë Universiteti i Shkodrës në krizë morale, kush e mbron Adrian Lekën pas skandalit të 22 mijë eurove? 29 Tetor 2026, 10:4210:42Dosja e zezë Dy fosilet politike në unison për të çimentuar status quo-në!! 28 Tetor 2026, 15:4415:44Dosja e zezë “Republika” e Skënder Gjinushit mbi ligjin: 110 studiues peng i dy vendimeve të Akademisë së Shkencave 28 Tetor 2026, 14:0114:01Dosja e zezë

