Policia e Durrësit ka goditur trafikun e 80 kilogramëve kanabis nga Kanadaja drejt Shqipërisë. Lënda narkotike është kapur në portin e Durrësit pasi u zbulua nga qentë e antidrogës. Në pranga kanë rënë 3 shqiptarë nga Kosova: Taulant Duraku, 32 vjeç, Luan Gashi 26 vjec dhe Besfort Jaka, 40 vjeç. 2 të tjerë, njëri nga Kukësi e tjetri që banon në Ontario, janë shpallur në kërkim. LEXO edhe... ‘Heqim gjurmët e ADN-ve’, shqiptari në Angli krijon kompani pastrimi për shtëpitë e barit! Media: Shqiptarët kanë më shumë se 450 ferma kanabisi Kanabisi ishte i ndarë në 127 pako me emrin “Gelato” dhe përmbajtje të lartë THC. Vlera përllogaritet rreth 1 milion euro. Dyshohet se lënda sigurohej në Kanada dhe transportohej drejt Shqipërisë, në një vend të fshehtë brenda automjetit të porositur për blerje në Kanada. Me të mbërritur në Shqipëri, droga shpërndahej në vend si dhe në Kosovë. Nga operacioni janë sekuestruar 3 automjete, 5 celularë dhe rreth 11 000 euro. Njoftimi i policisë Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike kanabis nga Kanadaja drejt Shqipërisë. Sekuestrohen rreth 80 kg kanabis e llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe vlerë tregu rreth 1 milion euro. Arrestohen 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, strukturat e Doganave, si dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Anchor”, rezultat i një hetimi të thelluar të zhvilluar me metoda speciale të hetimit, në kuadër të një procedimi penal. Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC. Gjithashtu, u sekuestruan 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 000 euro cash.Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro. Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario, Kanada, dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada. Po nga hetimet dyshohet se, pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike shpërndahej më tej në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës. Në vijim të operacionit, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 3 shtetasve T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të tre shtetas kosovarë. Këta shtetas u arrestuan si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, u shpallën në kërkim shtetasit H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se personat e përfshirë kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës. Operacioni “Anchor” është rezultat i një hetimi të zhvilluar në vijimësi dhe i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave policore, autoriteteve doganore dhe organit të Prokurorisë. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë, vijon intensivisht veprimet hetimore me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe dokumentimin e plotë të rolit të secilit prej tyre. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme. -------------------------------Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. P.J/ReportTv.al arrestim Durres kanabis taulant duraku luan gashi besfort jaka Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.4% Shoqëria 26.8% Social media 15.8% Vota total: 6176 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?
