Edhe pasi zjarri shuhet, pasojat e tij në natyrë vazhdojnë për një kohë të gjatë. Flakët nuk shkatërrojnë vetëm trungjet e pemëve, por të gjithë bimësinë dhe gjallesat përreth, ndërsa rikuperimi i një ekosistemi pyjor mund të kërkojë dekada. Eksperti i pyjeve në Fakultetin e Shkencave Pyjore në UBT, Ervin Toromani, thotë se koha e rikuperimit varet nga lloji i pyllit dhe qëllimi i përdorimit të tij.
“Në varësi të llojit pyjor minimum duhen 25-30 vjet që të krijohet një gjendje masivi. Në qoftë se flasim për të marrë përfitime dhe lëndë drusore, bimë medicinale apo kërpusha atëhere cikli I prodhimit I duhet 80-100 vjet”, shprehet Toromani.
Sipërfaqja pyjore në vend po zvogëlohet dhe, sipas ekspertit, një pjesë e rëndësishme e kësaj humbjeje lidhet me aktivitetin njerëzor. Brenda një harku kohor 30-vjeçar, motosharrat e paligjshme nga njëra anë dhe zjarret nga krahu tjetër kanë asgjësuar rreth 25 milionë metër kub dru. Sipas Toromanit, kjo shifër ende nuk është zëvendësuar me pemë të reja.
“Në qoftë se I referohemi të dhënave të inventarit 1985 volumi në këmbë ka qenë 85 mln metër kub, ndërsa statistikat e 2020 volumi në këmbë ka mbetur 59 milion metër kub. Që do të thotë për 30 vjet ne kemi humbug 25 milion lëndë drusore në këmbë. Kjo ka ndodhur për shkak të prerjeve ilegale, ngritjeve të gurorëve apo minierave dhe tani prej zjarrëve. “, thotë eksperti.
Sipas tij, në Shqipëri pjesa dërrmuese e zjarreve shkaktohet nga njeriu, qoftë për shkak të pakujdesisë apo zjarrvënieve të qëllimshme.
“Statistikat tregojnë që në 99% të rasteve tek ne janë zjarre të cilat janë të vendosura nga njeriu qofshin të qellimshme apo nga pakujdesia. Ndërsa nga shakqet natyrale si rrufeja dhe shkëndija elektrike nuk janë as 1%.“
Deri më tani mendohet se zjarri ka djegur rreth 3800 hektarë tokë pyjore dhe bujqësore. Ministria e Mbrojtjes ka përsëritur apelin për qytetarët që të mos ndezin zjarre dhe të respektojnë natyrën, por gjatë këtij sezoni veror këto thirrje nuk janë respektuar në të gjitha rastet.
Prej ditësh, zjarret në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në Krujë vijojnë të mbeten aktive, pavarësisht përpjekjeve të shumta të zjarrfikësve dhe strukturave të tjera të angazhuara në terren.
Pasojat e zjarreve, sipas ekspertit, nuk maten vetëm me sipërfaqen e djegur. Rikthimi i një ekosistemi pyjor kërkon kohë të gjatë, ndërsa për një cikël të plotë prodhimi mund të nevojiten deri në 80-100 vjet. Top Channel

