Lajme Zone
Dua Lipa i bashkohet dasmës tradicionale shqiptare, thjeshtësia dhe momentet e saj bëhen virale në rrjet (VIDEO)
KulturëGazeta Tema
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Dua Lipa i bashkohet dasmës tradicionale shqiptare, thjeshtësia dhe momentet e saj bëhen virale në rrjet (VIDEO)

Dua Lipa është sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo për një koncert apo një sukses të ri në muzikë.

Dua Lipa është sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo për një koncert apo një sukses të ri në muzikë.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka kaluar këto ditë në Kosovë, ku është bërë pjesë e një dasme familjare shqiptare në Pejë. Artistja, e cila prej vitesh është një nga emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare, është shfaqur mes familjarëve dhe të afërmve duke shijuar një nga festat më tradicionale shqiptare.

Dua ka marrë pjesë në dasmën e kushëririt të saj, Andit, i cili është martuar me partneren e tij.

Por ajo që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen në rrjet janë pamjet e këngëtares duke kërcyer valle tradicionale shqiptare.

Në video, Dua Lipa shihet duke iu bashkuar atmosferës së dasmës dhe duke kërcyer së bashku me të ftuarit, ndërsa pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Momenti ka marrë vëmendje edhe për mënyrën e thjeshtë dhe të çlirët me të cilën këngëtarja është shfaqur në një prej gëzimeve më të rëndësishme të familjes së saj.

Dua ka ndarë gjithashtu vetë në Instagram disa prej momenteve të kësaj dasme, duke sjellë pamje nga festa, nga marrja e nuses deri te momentet e festimit me familjarët.

“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare”, ka shkruar këngëtarja krahas postimit.

Ajo ka shtuar edhe një shprehje në shqip: “Po na rritet rrethi”, duke iu referuar zgjerimit të familjes pas martesës.

Prania e Duas në një dasmë tradicionale shqiptare ka marrë vëmendje të veçantë pikërisht në një periudhë kur këngëtarja është në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj ndërkombëtare.

Pavarësisht famës, jetës mes skenave botërore dhe vëmendjes së vazhdueshme mediatike, në këto pamje ajo shfaqet thjesht si pjesë e familjes, duke festuar dhe kërcyer në një dasmë shqiptare në Kosovë.

Kjo është edhe ajo që duket se ka bërë më shumë përshtypje te fansat: një prej artisteve më të njohura shqiptare në botë, duke iu bashkuar pa komplekse një valleje tradicionale shqiptare në një dasmë familjare.