Ish-avokatja personale e Donald Trump, Alina Habba, është martuar me biznesmenin turk Turhan Mildon në një ceremoni luksoze në New York.
42-vjeçarja dhe 29-vjeçari, drejtues i Miller Holding, i dhanë fund beqarisë në hotelin e famshëm Waldorf Astoria, ku pritja u zhvillua në një nga sallat e katit të katërt.
Sipas “New York Post”, ambienti ishte dekoruar me lule qershie në ngjyrat rozë dhe të bardhë, si dhe me qindra trëndafila të kuq. Një organizator eventesh vlerësoi se vetëm salla, dekorimet me lule dhe muzika mund të kenë kushtuar rreth 1 milion dollarë, pa përfshirë dhomat e hotelit dhe hapësirat e tjera të përdorura për eventin.
Dasma u organizua në vetëm rreth tre muaj, me ndihmën e dy organizatorëve të njohur të eventeve nga Palm Beach. Çifti kishte planifikuar fillimisht që ceremonia të zhvillohej në hotelin “Plaza”, por nuk arriti të gjente një datë të përshtatshme.
Në mesin e të ftuarve ishin disa figura të njohura të administratës Trump, mes tyre këshilltarja dhe asistente speciale Margo Martin, drejtori i FBI-së Kash Patel dhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe legjenda e boksit, Mike Tyson.
Donald Trump nuk mori pjesë në dasmë, pasi ndodhej në Knoxville, Tennessee.
Marrëdhënia mes Habba dhe Mildon u bë publike në muajt e fundit. Çifti u shfaq së bashku në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë dhe më pas në aktivitete të tjera në Washington.
Turhan Mildon është drejtues i Miller Holding, kompani turke me aktivitet në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe minierave.

