Kryeministri Edi Rama tha sot se protestat që kanë shpërthyer ditët e fundit në Tiranë janë të frymëzuara nga “duar të huaja” dhe jo nga të rinjtë shqiptarë.
Ai tha se dy ditë më parë është neutralizuar një dron me eksploziv, sipas tij i destinuar për të goditur Kryeministrinë. “Para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv, i destinuar për të goditur kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm, një Zot e di çfarë pasojash, nuk ka të mitur që i shkon mendja ta vërë atë plan, që është një dorë e huaj”, tha Rama. Më tej, kryeministri komentoi dhe lajmet se në Shqipëri mbërrijnë çdo ditë 1 mijë izraelitë në mbështetje apo se mes forcave policore në bulevard ka polici serbe. “Ata që nuk duan PS në pushtet janë të prirur ta relativizojnë dhunën dhe mendojnë se kjo punë zgjidhet me dhunë dhe është çështje e ditës. Duart e huaja, pse po përpiqet të krijojë idenë që këtu kanë ardhur izraelitët, që këtu, siç thoshte një lajm i rremë i përhapur me shumë shpejtësi, zbresin çdo ditë 1 mijë izraelitë për të më mbështetur mua dhe për të rrahur e vrarë fëmijë? Kujt i intereson? Ky është një konglomerat antifa që frymëzon të rinj të frustruar me ekstremet politike karagjozë, një neo komunist tërësisht i lajthitur dhe një neo ballist nga ana tjetër që nxit dhunë, që paguan për të bërë dhunë dhe që nuk ndalet. Pas ekstremeve politike, qëndron matufi që mbart të keqen e mbrapshtë që e përndjek Shqipërinë prej 1912, vijnë ekstremistët e fesë në një vend që s’ka pasur dhe s’do të ketë kurrë probleme fetare. Ky vend është më i fortë se kurrë në arenën ndërkombëtare. Izraeli është vend mik, siç është Katari. Këta të dy s’kanë marrëdhënie diplomatike.
Qershia mbi tortë janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu dhe na qenkan nën uniformën e atyre burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi dhe që u dyshokan se qenkan edhe serbë. Kjo është një marrëzi, por jo kolektive për fat të mirë dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie sepse këtë film ne e kemi parë. Këta s’kanë mend fare, janë komplet kokëboshë”, tha Rama. Ai ka komentuar dhe daljen e forcave RENEA në protestën e djeshme, ku tha se sa herë një situatë ka premisa për trazira, RENEA do të jetë aty. “RENEA del edhe kur luhet një ndeshje futbolli që ka premisa për trazira. Doli dhe do të dalë. Do të ngushtohet rrethi ndaj atyre me maska. Kush do të flasë më mua pa maska. Kush do të vijojë me maska shtetin do ta ketë përballë”, u shpreh Rama. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

