Gazetarët, aktivistët dhe organizatat që paditen për shkak të denoncimeve apo qëndrimeve të tyre për çështje me interes publik pritet të përfitojnë mbrojtje të posaçme ligjore. Qeveria ka hartuar një projektligj me 17 nene kundër padive të njohura si SLAPP (nga anglishtja Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike), procese që nuk synojnë domosdoshmërisht fitimin e një çështjeje, por frikësimin, heshtjen ose lodhjen financiarisht të personave që marrin pjesë në debatin publik. “Projektligji synon krijimin e një kuadri ligjor të posaçëm që garanton mbrojtjen efektive të personave fizikë dhe juridikë që angazhohen në pjesëmarrjen publike.” LEXO EDHE:Dhoma Ekonomike Kombëtare, struktura e re në konsultim publik për herë të tretë! Organizim sipas fushës, tarifë vjetore për anëtarësimin e detyrueshëm Mbrojtja nuk kufizohet vetëm te gazetarët dhe mediat. Ajo përfshin çdo person fizik ose juridik që ushtron lirinë e shprehjes dhe informimit, lirinë artistike, kërkimin shkencor, si edhe të drejtën e tubimit dhe organizimit. Sipas projektligjit, çështje me interes publik konsiderohen ato që lidhen me të drejtat e njeriut, shëndetin, sigurinë, mjedisin, veprimtarinë e zyrtarëve dhe personave publikë, proceset gjyqësore e administrative, si dhe akuzat për korrupsion, mashtrim apo vepra penale. “Procedurat gjyqësore abuzive […] kanë si qëllim kryesor pengimin, kufizimin ose ndëshkimin e pjesëmarrjes publike.” Për të përcaktuar nëse një proces është SLAPP, gjykata do të vlerësojë shumën e kërkuar në padi, ngritjen e disa proceseve për të njëjtën çështje, kërcënimet ndaj të paditurit, zvarritjen e gjykimit dhe zgjedhjen në mënyrë abuzive të gjykatës. Personi i paditur do të ketë të drejtë të kërkojë që paditësi të depozitojë paraprakisht garanci për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore dhe të avokatit. Mekanizmi kryesor i projektligjit është rrëzimi i hershëm i padisë. Pasi i padituri paraqet kërkesën, barra për të treguar se padia ka bazë kalon te paditësi. Gjykata duhet ta shqyrtojë kërkesën me përparësi dhe të marrë vendim brenda 60 ditëve. Edhe nëse paditësi ndryshon kërkesën ose tërhiqet nga procesi, i padituri ruan të drejtën për të kërkuar masat mbrojtëse. Në proces mund të përfshihen edhe shoqatat, sindikatat dhe organizatat që mbrojnë gazetarët, aktivistët ose pjesëmarrësit e tjerë në debatin publik. Nëse gjykata konstaton se padia është haptazi e pabazuar ose se procesi është abuziv, paditësi mund të detyrohet të paguajë dëmin pasuror dhe jopasuror, shpenzimet e plota gjyqësore dhe publikimin e vendimit. Ndaj tij mund të vendoset edhe gjobë nga 50 mijë deri në 300 mijë lekë të reja. “Priten efekte pozitive në drejtim të forcimit të mbrojtjes së lirisë së shprehjes, nxitjes së pjesëmarrjes publike dhe krijimit të një mjedisi më të sigurt për ushtrimin e këtyre të drejtave.” Projektligji zbatohet për çështjet civile dhe tregtare, përfshirë ato që zhvillohen vetëm brenda Shqipërisë, por nuk mbulon proceset penale, administrative, tatimore, doganore dhe arbitrazhin. Relacioni thotë se projektligji transpozon plotësisht Direktivën Evropiane kundër SLAPP-ve. Megjithatë, në draft mungojnë disa detyrime të rëndësishme të Direktivës së Bashkimit Europian, mes tyre mbledhja vjetore e të dhënave për rastet SLAPP dhe informacioni i posaçëm për ndihmën juridike, financiare dhe psikologjike. Po ashtu, mbetet e diskutueshme nëse gjoba maksimale prej 300 mijë lekësh mund të jetë realisht dekurajuese për kompani ose paditës me fuqi të madhe financiare. Miratimi i ligjit do të krijonte për herë të parë në Shqipëri një mekanizëm të posaçëm për rrëzimin e hershëm dhe ndëshkimin e padive që përdoren për të frikësuar gazetarët, aktivistët dhe zërat kritikë. P.J/SI.E./Shqiptarja.com TAG: projektligji SLAPP padi shoqeria civile media Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Gusht, 13:45
Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 56.6% Shoqëria 27.1% Social media 16.3% Vota total: 4112 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

