Ishte vera e viti 1984. Në Gjilan një djalosh i ri i vënë prej vitesh nën presionin serb të UDB-së kishte vetëm një ëndërr: të largohej nga represioni e të vinte e të jetonte në atdheun e munguar në Shqipëri. Ai nuk dinte pothuaj asgjë për jetën politike të Shqipërisë, nuk dinte asgjë për diktaturën komuniste. Nga propaganda që dëgjonte çdo ditë në radio Tirana, kishte projektuar në mendjen e tij atdheun e endrrave. Aty do të shkollohej, do të punonte dhe jetonte I lirë mes vëllezërve të tij shqiptarë, larg presioneve dhe shtypjeve që perjetonte çdo i ri si ai në Kosovën e robëruar të ish-Jugosllavisë. Hevzi Kqiku jetonte prej vitesh me këtë ëndërr dhe për ta realizuar atë, do të ndërmerrte një rrezik që do ti ndryshonte përgjithmonë gjithë rrjedhën e fatit të tij. Në Kosovën e fundviteve ’70 dhe fillimviteve 80, shqiptarët kishin nisur të projektonin lirinë për të vendosur vetë për fatet e vendit. Pakënaqësitë ekonomike dhe sociale, dhe gjendja politike e shoqërore kishin agravuar vit pas viti derisa revoltat do të nisnin nga një qytet në tjetrin duke shpërthyer masivisht në vitin 1981 në të gjithë Kosovën. Të rinjtë do të ishin krye të këtyre revoltave. Njëri prej tyre hevzi Kqiku, tregon se si nisën ato në qytetin e tij dhe si u bënë shkas më vonë që ai ta humbte shpresën. LEXO EDHE:Dosja K/ Hevzi Kqiku rrëfen historinë e familjes shqiptare mes komunizmit, Kosovës dhe Shqipërisë “Gjithmonë mendonim për gjendjen e Kosovës, për të ardhmen. Gjendja ishte shumë e rëndë, papunësi, varfëri, shumë. Kishin mbërritur ato, gjeneratat e shkolluara, pa punë, pa kurrfarë mundësie për jetesë, të jetoje me lëmoshë, të tjerët të të ushqenin e të të mbanin. Është lëmoshë ajo. Edhe ashpërsoheshin raportet politike. Edhe ashtu, prej Luftës II Botërore, krahas zhvillimit të forcave intelektuale, u zhvillua edhe lëvizja kombëtare shqiptare. U zhvillua derisa eksplodoi në vitin 1981”, thotë ai. Pranvera e vitit 1981 do të ishte momenti kur tensionet e mbledhura prej vitesh do të shpërthenin në rrugët e Kosovës. Demonstratat do të shënonin një kthesë për mijëra të rinj shqiptarë. Edhe për Hevzi Kqikun. Në Gjilan, ai nuk do të ishte thjesht pjesë e turmës. Do të ishte një prej njerëzve që do të hidhej në krye të protestës. Dhe për këtë do të paguante me lirinë. “Ne u organizuam në Gjilan. Mua më takoi nderi të filloja demonstratën dhe, por, duhet të pranoj se policët shqiptarë dhe ai shefi i UDB-së ka qenë shqiptar, ai më ka mbrojtur. Keq, mirë, ashtu ka qenë. Edhe më dënuan me 2 vite burg, se përndryshe do të dënohesha 10, se ata i dinin të gjitha. Ma ka pohuar shefi i UDB-së që kanë ditur gjithçka. Edhe kur dola prej burgut, prej ndërhyrjes së tij, mua s’më kanë prekur, as më kanë rrahur, as më kanë marrë në pyetje. Se edhe marrja në pyetje është një lloj presioni psikik. Por ai ishte shefi”, shprehet ai. Dy vite burg nuk do të mjaftonin për ta mbyllur përplasjen e tij me sistemin. Kur doli nga burgu, Hevzi Kqiku u përball me një tjetër zgjedhje. Të vazhdonte shkollimin, por nën vëzhgimin e strukturave të sigurisë, apo të qëndronte jashtë çdo marrëdhënieje me to. Ai zgjodhi të mos bashkëpunonte. Dhe shumë shpejt, ndaj tij do të merrej një tjetër vendim. “Kur dola nga burgu, raportet e UDB-së, sa isha unë në burg, ndryshuan. E kur dola, por gjykata e kishte vendour, vulosur, çështjen time. Por kur dola prej burgut. Pasi kishin ndryshuar raportet e UDB-së, më bënin presion: nëse do të vazhdosh shkollimin, eja bisedo me ne. Unë u thashë: jo. E më çuan në shërbim ushtarak”, thotë Kqiku. Shërbimi ushtarak, që për shumicën do të ishte një detyrim i zakonshëm, për të do të shndërrohej në një tjetër përvojë presioni. Ishte ende i ri. Por tashmë kishte njohur burgun, kishte provuar presionin e policisë dhe kishte refuzuar kontaktin me UDB-në.Në ushtri, presioni do të merrte forma të tjera. “Gjatë shërbimit ushtarak kam vuajtur shumë. E dinë të gjithë ata që kanë qenë me mua. Nga keqtrajtimet e tyre, keqtrajtimet edhe presionet e formave të ndryshme”, tregon ai. Ushtria do të përfnte në qershorin e vitit 1984. Por Kqiku do të kthehej nga shërbimi ushtarak me të njëjtën dëshirë me të cilën kishte hyrë në të: të vazhdonte shkollimin dhe të ndërtonte jetën e tij. Vetëm se Kosova që po gjente nuk ishte më ajo që kishte lënë. Arrestimet po shtoheshin. Dhe frika se informacionet për të do të dilnin nga torturat ndaj të arrestuarve të tjerë, e shtyu drejt një vendimi ekstrem. “E kam kryer ushtrinë afër Sarajevës. Gjatë luftës, në televizor i shihja oficerët e mi duke masakruar boshnjakët. I njihja. Edhe kur erdha prej shërbimit ushtarak, në qershor të vitit 1984, ëndrrën e madhe e kisha për të vazhduar shkollimin. Edhe pati filluar një valë e re arrestimesh, edhe, sepse burgoseshin shpesh njerëz, nga torturat, ato u rridhnin të dhënat. Edhe unë u arratisa në shtetin shqiptar. Një shok i ushtrisë ka qenë në Prizren. Ai më luti: mos shko, - më tha, - se e kam takuar një të Prizrenit që ka qenë në Shqipëri, tha: kam ndenjur 2 muaj por si kam ndenjur. – Jo, - thashë, - e kam vendosur, po shkoj. – Ti nëse e ke vendosur. Më tregoi nga të shkoja: del, - tha, - pa problem, por unë po të lutem, mos shko”, thotë ai. Tashmë nuk bëhej fjalë më për një ide arratisjeje, por për të gjetur rrugën përmes një territori ku çdo hap mund të sillte përballjen me rojet kufitare. “Unë e përdora përvojën jetësore, i ndjekur gjithmonë nga policia, si shqiptar, por edhe shoku i ushtrisë që më tregoi. Më tregoi nga të shkoja dhe dola pa problem. Rojen jugosllave s’e kam parë hiç. Pasi e kam kaluar vijën kufitare kam hyrë në territorin e shtetit shqiptar, roja e shtetit shqiptar kishte qenë në vend: ndal se të vrava, ndal, ndal se të vrava. – O, - i thashë, - po flasim shqip. – Shqiptar je?”, shprehet ai. Vendi që për vite me radhë kishte ekzistuar në imagjinatën e shqiptarëve të Kosovës si një pikë referimi, si një atdhe përtej kufirit. Por për Hevzi Kqikun, kontakti i parë me Shqipërinë do të ishte vetëm fillimi i një tjetër historie. “Edhe e kam kaluar kufirin te Prizreni, në mes të Prizrenit dhe Kukësit, te Gjallica. Është një bjeshkë e madhe, një kodër e lartë, e zhveshur. Aty e kam kaluar dhe i jam dorëzuar Policisë së Shtetit shqiptar”, thotë ai. Ai kishte menduar se arratisja në Shqipëri do t'i jepte fund ndjekjes. Por në vend të lirisë, ai do të përballej me një tjetër formë represioni. Pas një jave në Kukës, nga Tirana do të vinin njerëzit që do ta merrnin me vete. Destinacioni ishte Laçi. Dhe atje do të niste një tjetër kapitull i marrjes në pyetje. “Ata më kanë mbajtur 1 javë aty në Kukës. Kanë ardhur nga Tirana më kanë marrë, duke më bërtitur, duke më sharë. Edhe kemi ardhur prej Kukësit në Laç, na kanë vendosur. Aty jemi vendosur, aty kanë punuar 2 muaj Sigurimi i Enver Hoxhës. Çfarë më kanë pyetur, çfarë kam ditur i kam treguar, s’kam pasur çfarë të fsheh”, tregon ai. Hevziu thotë se e pyesnin për gjithçka që lidhej me familjen e tij dhe me jetën në Kosovë. “Prejardhjen familjare, përbërjen familjare, ku të punojnë prindërit, qysh e kam bërë diçka, a e kanë ditur ata, në mënyrën më të përsosur e kanë ditur të familjes e të, e kanë pasur përmes bashkëpunëtorëve të vet nëpër botë, në Perëndim. I dinin të gjitha, edhe e kanë ditur që po më kërkonte arsyen pse. Arsyeja themelore është se do të më burgosë policia, UDB-ja. Ajo është arsyeja, për asgjë tjetër. Ata e kanë vërtetuar përmes të tjerave burime”, thotë ai. Kqiku kishte ardhur në Shqipëri duke ikur nga UDB-ja. Por shumë shpejt kuptoi se autoritetet shqiptare nuk e shihnin thjesht si një njeri që kërkonte strehim. Ata donin të dinin kush ishte, nga vinte dhe çfarë kishte ndodhur me të. Por mbi të gjitha, donin të verifikonin arsyen përse kishte kaluar kufirin. Dhe në këtë përballje, ai do të ndeshej me një Shqipëri shumë më ndryshe nga ajo që kishte njohur përmes zërit të radios. “Shqipëria nuk i jep azil kurrkujt hiç. Shkijeve po, kudo nëpër Shqipëri janë. Drejtori i spitalit të Gjirokastrës serb ka qenë. Atyre po. T’i bënin varrin Shqipërisë, Kosovës, të gjithave”, thotë ai. Hevziu tregon se pyetjet dhe presioni do të vijonin gjatë. “Trego pse ishe në Shqipëri. Po prej të këqijave, për çfarë? Më thoshin, policia, më thoshin: pse s’ke shkuar të punosh nëpër Jugosllavi? – S’po dua të shkoj në Jugosllavi, - thashë unë. Polici tha: po i ndiqni serbët. – Po miliona shqiptarë që i keni ndjekur e kanë shkuar në Turqi? – Kush të ka thënë ty? – Thashë: është e vërtetë, edhe qeveria amerikane ta pranon, praj 1921 deri në 1942, aleanca e krishterë ortodokse 4 milionë shqiptarë i ka vrarë. Edhe me 16 shtator më kanë dorëzuar tek UDB-ja në Prizren”, tregon Hevziu. Në këtë pikë të rrëfimit, historia e Hevzi Kqikut përputhet imtësisht me atë çka dëshmojnë edh edokumentet shtetërore rreth arratisjeve të qindra të rinjve si ai që çdo vit synonin të vinin ën Shqipëri, për ti shpëtuar represionit serb. Ky procesverbal i mbledhjes së datës 18 prill 1984 të sekretarëve të Komitetit Qendror, ku merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, thekson se çdo ditë e kalonin kufirin nga Kosova në Shqipëri afërsisht 10 persona Duke i raportuar Enver Hoxhës, ministër i brendshëm hekuran Isai thotë: Nga Kosova, shoku Enver, pothuajse na vijnë çdo muaj nga 5-6-7 apo nganjëherë edhe nga 8 vetë të arratisur. Pothuaj çdo javë kalojnë ata kufirin jugosllavo-shqiptar. Këta vijnë me pretekste të ndryshme, njëri thotë “kam ardhur për të vazhduar shkollën”, tjetri, “më ndjek UDB-ja”, kush kështu e kush ashtu. Po ne mbasi jemi konsultuar dhe i vjelim nga kanë ardhur e pse kanë ardhur, ku mendoni të shkoni e si do të shkoni, i kthejmë përsëri. u themi mirë, ju vini këtu, po shokët tuaj luftojnë në Kosovë, prandaj pse largoheni, detyra juaj është të luftoni, se atje bëhet luftë. Mirë, ja erdhe këtu dhe ta zëmë se ne të strehuam, të dhamë edhe punë apo për të ngrënë e për të pirë, por në fakt ju largoheni andej nga lufta. Kështu mhemi t’i bindim që të kthehen dhe mendojmë që kemi bërë mirë që i kemi kthyer. Isai, ndërpritet nga Enver Hoxha I cili interesohet se të çfarë moshe janë të arratisurit? Ndërsa Ministri i brendshëm përgjigjet: Ka të rinj fare, 15 ose 20, ka 30-vjeçarë, ka që vijnë me familje dhe janë të moshave të ndryshme. mendoj se kemi bërë mirë që i kemi kthyer. Vetëm ndonjë të rrallë e mbajmë dhe këtë e bëjmë në konsultim me shokët e Komitetit Qendror, që lidhet me ndonjë problem të rëndësishëm. Më tej Enver Hoxha pyet për mënyrën se si ata kthehen. Shoku Enver Hoxha: Po këta nëpërmjet kufirit kthehen?, pyet Hoxha, ndërsa merr përgjigjen pohuese prej hekuran isait. Domethënë i dorëzojmë?, - vijon Enver hoxha. Po i dorëzojmë, përgjigjet Isai. Ndonjë kur jemi të bindur që është njeri i mirë, e kemi kthyer edhe inkonjito, pa e dorëzuar, të tjerët ua kemi kthyer jugosllavëve. Fakt është që disa nga këta që kthejmë, jugosllavët i kanë përpunuar, na i kanë çuar me qëllim një pjesë të mirë të tyre. Në 100 vetë që na vijnë, 70 ata i çojnë për interesat e veta, midis tyre futin edhe 30 të mirë. Këtë rrugë ndjekim tani me kosovarët që kalojnë për këtu, shoku Enver, se na bëhet barrë, mbasi pas strehimit politik, duan rrogë mujore, duan veshje, duan punë. Hoxha ndërhyn sërish në mbledhje dhe thotë: Jo Nuk i ushqejmë dot ne ata. Në vijim flet ramiz Alia që përforcon fjalët e diktatorit: Këtu është çështja se po të dëgjojnë se të tjerët që po i ushqejmë, u japim edhe punë, hapet rruga dhe hajde mbaji pastaj. Hoxha vijon: Jo, nuk i ushqejmë dot, pastaj nuk jemi të sigurt çfarë njerëz janë ata që vijnë. Ne nuk mund të bëjmë propagandë kundër Jugosllavisë me të arratisurit kosovarë. Nuk është në vijën tonë kjo punë. Dokumenti vijon me të tjera ndërhyrje dhe përgjigje të ministrit të brendshëm duke zbuluar se pjesën dërrmuese të të arratisurve regjimi I kthente në duart e UDB_së sipas nëj marrvjeshjeje që kishin me ta. Këtë fakt e dëshmon edhe vetë hevziu, I cili pohon se ata e dërguan në zyrën e Udb në prizren, pa I dhënë mundësinë të largohej. . “Ajo ishte marrëveshje e veçantë shtetërore, shteti me shtet. Në anën e shtetit shqiptar ishte një ushtar i Shqipërisë me flamur të bardhë në dorë, të ngritur dhe flamurin e mbante të badhë, kështu. Edhe ai kujdestari i, ai me siguri i policisë ka qenë, që më ka sjellë ushqimin e që më ka mbajtur në Kukës, ai më ka kapur nga krahu dhe më ka dorëzuar te roja jugosllave, e kush kanë qenë ata. S’kisha nga të shkoja, shteti shqiptar më vriste, do të më vriste në çdo përpjekje që të bëja. Unë as nuk e kisha një qëllim të tillë. Atëherë p.sh., nuk i kam ditur këto detajet e rrjedhave politike në hapësirat gjithëshqiptare, d.m.th. pa lexuar literaturë, pa mësuar qysh e pse. Atëherë, Zoti na ruajt, s’kisha bërë diçka të tillë, të bëja që të ikja. Më ka marrë për krahu ai kujdestari ku kam ndenjur në Kukës, më ka dorëzuar te polici jugosllav dhe polici jugosllav më ka marrë e më ka çuar atje në zyrë dhe aty kanë nisur të më rrahin”, thotë Hevzi Kqiku. Kthimi në Jugosllavi e çoi sërish përballë atij aparati prej të cilit ishte arratisur. Tashmë nuk kishte më iluzione për atë që mund ta priste. Për shumë njerëz si ai, dhuna dhe frika ishin bërë pjesë e përditshmërisë. Një fjalë e thënë në vendin e gabuar mund të mjaftonte për të nisur një tjetër histori arrestimi. “Në përgjithësi, i kanë ikur bisedave me mua, se ka qenë edhe, situata ka qenë e tillë. Të kanë mbytur në rrahje, kanë shkuar me vite të tëra në burg, disa njerëz thoshin, këshillonin: mos flisni me disa njerëz se po ndodhin gjëra të tmerrshme. Për një fjalë goje të sakatonin duke të rrahur. Nuk është pak”, tregon ai. Por historia e Hevzi Kqikut ka edhe një tjetër shtresë. Sepse ai nuk ishte thjesht një i ri që kishte ikur nga një sistem politik. Ai ishte një shqiptar i Kosovës që kishte kaluar kufirin drejt një vendi që, për të dhe për shumë të tjerë, ishte kthyer në një simbol. Një vend që nuk e njihnin nga përvoja.E njihnin nga librat, nga rrëfimet dhe mbi të gjitha, nga Radio Tirana. “Deri në ‘90-‘92 njerëzit kanë jetuar me ëndrra shumë të mëdha për Shqipërinë. Shqipëria ishte gjithçka. Shumë e kemi himnizuar, shumë e kemi idealizuar, shumë e kemi. Nuk është ashtu. Por kjo është edhe politika e të mëdhenjve. Edhe ata mbajnë një përgjegjësi. Natyrisht i besonim, i besonim asaj radios, Radio-Tiranën e dëgjonim natë e ditë, ditë e natë. Flinim me radion nën kokë. Gjithçka. Vetëm trupin e kishim atje, se ne me zemër e me kokë ishim krejt, në mënyrë të padiskutueshme për ne, jashtë kufijve të shtetit shqiptar, Shqipëria ka qenë gjithçka. Ngushëllim ka qenë, moralizim ka qenë, nxitje, gjithçka. S’kishte qenë ashtu. Shumë dëshpërohem nga këtu. Pasi kam lexuar librat e Isuf Kalos, Bashkim Shehut, Enver Hoxhës, Nexhmjes, e të autorëve të tjerë. Shumë dëshpërohem”, thotë ai. I zhgënjyer dhe në kërkim të vazhdueshëm për të zbuluar të vërtetën hevzi kqiku vijon të lexojë e të kërkojë mbi historinë e errët që I bëri varrin çështjes kombëtare pas Luftës së dytë boterore. Pas çdo leximi a zbulimi, ai përpiqet të kuptoje pse të vertetat janë fshehur, tjetërsuar dhe shtrembëruar dhe pse funksinoi për kaq e kaq dekada ai kufi I pakuptimtë të cilin ai dhe qindra të tjerë si ai e kapërcenin fshehtas, duke vënë jetën në rrezik në kërkim të atdheut të ëndrrave. Xh.K/Shqiptarja.com TAG: dosja k Hevzi kqiku Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.4% Magjistratëve 15.7% Nuk e di 5.9% Vota total: 7201 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

