Vezir Haziraj, i dyshuar për plagosjen e një personi në fshatin Orrobërd të Istogut, është dorëzuar para autoriteteve policore, ndërsa pas intervistimit nga hetuesit policorë pritet të ndalohet për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.Lajmin e e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. “I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit policorë do të ndalohet për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit. Brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore, për çka do t’ju mbajmë të informuar”, ka deklaruar Nikçi.Haziraj kishte deklaruar paraprakisht përmes një video-komunikimi se do të dorëzohej, duke thënë se këtë vendim e kishte marrë “për hatër të shumë njerëzve”, në veçanti të Ylber Lipajt dhe publikut.“Veziri po dorëzohet, hatri i Ylber Lipajt, hatri i AAK-së që janë më të drejtë, më të mirë se këta tjerët, e kam ndërmend me u dorëzu dhe hatri i publikut ku 70% janë për me u dorëzu unë, atëherë kam marrë vendim, kam me u dorëzu”, kishte deklaruar ai./Telegrafi/ Vezir Haziraj, nga Istogu, është përmendur edhe më herët në raste penale. Në vitin 2018, ai ishte akuzuar për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, pasi dyshohej se kishte sulmuar me thikë një 17-vjeçare, me të cilën kishte pasur lidhje.Sipas Prokurorisë, sulmi kishte ndodhur pasi vajza kishte kërkuar që fotografitë dhe videot intime të saj të fshiheshin nga rrjetet sociale.Ndaj Hazirajt kishte pasur edhe raste të tjera penale, përfshirë akuza për vjedhje, vjedhje të rëndë dhe arratisje nga burgu.Në vitin 2022, ndërsa ishte i burgosur, ai ishte përmendur edhe në një rast ku dyshohej se kishte porositur një sulm ndaj një zyrtari korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. Rasti atëherë ishte iniciuar nga Policia si “kanosje”. Tashmë, Haziraj është në procedurë hetimore lidhur me plagosjen e raportuar në fshatin Orrobërd të Istogut./Telegrafi/

