Veshjet ikonike të Michael Jackson, që kanë shoqëruar disa prej performancave më të famshme të karrierës së tij, do të dalin sërish në ankand, duke u dhënë koleksionistëve mundësinë të zotërojnë pjesë të historisë së muzikës pop.
Mes objekteve më të veçanta është xhaketa e kuqe dhe e zezë prej lëkure, të cilën Mbreti i Popit e veshi në videoklipin legjendar “Thriller”, të publikuar në vitin 1983.
Xhaketa është një nga dy modelet origjinale të krijuara për videoklipin. Ajo që do të dalë në shitje është përdorur në skenat ku Jackson shfaqet pa makijazhin e zombit, ndërsa xhaketa tjetër, e përdorur në skenat e transformimit, ndodhet në pronësi të trashëgimtarëve të këngëtarit.
Por vëmendjen më të madhe pritet ta marrë edhe një tjetër objekt i famshëm: doreza e bardhë e zbukuruar me gurë, të cilën Jackson e mbajti gjatë performancës së tij historike në “Motown 25” në vitin 1983, kur prezantoi për herë të parë lëvizjen e famshme “Moonwalk” përpara publikut televiziv.
Shtëpia e ankandeve Julien's Auctions e vlerëson dorezën nga 600 mijë deri në 800 mijë dollarë. Ajo ishte shitur më parë në vitin 2009 për 430 mijë dollarë, duke vendosur atëherë një rekord për një dorezë të përdorur nga këngëtari.
Në ankand do të përfshihen edhe dy palë këpucët e zeza të Michael Jackson, të përdorura gjatë xhirimeve të “Thriller” dhe performancës në “Motown 25”. Vlerësimi për to arrin deri në 80 mijë dollarë.
Ngjarja do të zhvillohet në Abu Dhabi, nga data 7 deri më 9 dhjetor, në kuadër të një aktiviteti të madh të organizuar nga Julien's Auctions, ku do të ekspozohen edhe objekte të lidhura me emra të tjerë të famshëm të kulturës botërore.
Përveç koleksionit të Michael Jackson, në ankand do të dalin edhe veshje të Princeshës Diana, si dhe objekte që lidhen me artistë dhe ikona të tjera të kulturës pop.
Xhaketa e “Thriller” nuk ka një çmim fillestar të publikuar nga organizatorët, ndërsa interesi për të pritet të jetë i madh, duke qenë se bëhet fjalë për një nga veshjet më të njohura në historinë e muzikës.

