Ka nisur mbledhja e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, ku më pas pritet të nisë edhe marshimi drejt Kryeministrisë, në kuadër të protestës së 113-të kundër qeverisë. Profesori Lush Susaj, në një prononcim për News24, u shpreh se 113 ditët e protestës duhet të shërbejnë si frymëzim për vijimin e qëndresës dhe arritjen e qëllimit të përbashkët, të cilin ai e përkufizoi si dorëheqjen pa kushte të kryeministrit Edi Rama. “113 ditë qëndresë, frymëzim për të vijuar drejt qëllimit të përbashkët, që është dorëheqja pa kushte e kryeministrit dhe autokracisë që ka mbledhur rreth tij, si dhe çlirimi i Shqipërisë nga mafia e korrupsionit që e ka zanafillën që në vitin 1991 dhe ka zënë të gjitha hapësirat, duke i marrë frymën Shqipërisë”, deklaroi Susaj. Ai ngriti akuza ndaj qeverisjes dhe korrupsionit, duke thënë se sipas tij po dëmtohet elita, qytetarët dhe të rinjtë, ndërsa shkollat dhe universitetet po boshatisen. Profesori tha se ka marrë pjesë në protestë që prej ditës së parë dhe se do të vijojë të jetë pjesë e saj për aq kohë sa gjendja e tij shëndetësore do t’ia lejojë. “Kam qenë në protestë nga dita 1 dhe do të jem sa kohë jam mirë me shëndet. Falënderoj median tuaj dhe çdo punonjës të medias tuaj”, u shpreh ai.
Në vijim, Susaj u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestës, duke e lidhur qëndrimin e tij edhe me rrezikun e një konflikti social.
“I bëj thirrje shqiptarëve të dalin në shesh me qëllimin e largimit të qeverisë që e ka qelbur në të gjitha drejtimet. Mos e rrokullisni Shqipërinë në konflikt social. Në ’97 u vranë djemtë tanë, jo politikanët. Nëse vjen ajo ditë, do të vijë prej indiferentizmit tuaj dhe ju që rrini në kafene nën avujt e alkoolit”, deklaroi Susaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
