Presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi reagime me një koment të papritur për reperen e famshme Nicki Minaj, gjatë një tubimi në Michigan, ku ajo ishte e pranishme për të shprehur mbështetjen e saj ndaj tij dhe kandidatëve republikanë.
Gjatë fjalimit të së dielës, më 25 tetor, në Port Huron, Trump e ndërpreu rrëfimin e tij për senatorin amerikan Jon Husted për t’iu drejtuar këngëtares, duke komentuar në mënyrë të drejtpërdrejtë format e saj trupore.
“Meqë ra fjala, sapo pashë një palë të pasme vërtet të bukura: Nicki Minaj. Është e vështirë të mos i vësh re”, deklaroi Trump para të pranishmëve, përpara se t’i kërkonte reperes të ngrihej në këmbë.
Nicki Minaj iu përgjigj thirrjes, u ngrit dhe përshëndeti turmën, ndërsa komentet e presidentit u shoqëruan me reagime nga publiku. Pas këtij momenti, Trump shtoi: “Shpresoj që Nicki të mos jetë ndier e fyer, por ne e duam Nicki-n. Ajo ka qenë me ne prej kohësh”.
Komenti erdhi teksa Trump po shpjegonte deklaratat e mëparshme për pamjen fizike të senatorit republikan Jon Husted, të cilat, sipas tij, ishin bërë me humor, duke iu referuar edhe së kaluarës së senatorit si sportist.
Ndërsa deklarata e Trumpit u bë menjëherë objekt diskutimi, vëmendje mori edhe një video e publikuar nga Steven Cheung, drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë udhëtimit me avionin presidencial Air Force One, ai zhvilloi një bisedë me reperen, duke i drejtuar pyetje për ekonominë amerikane dhe punën e presidentit.
Minaj foli me superlativa për Trumpin, duke argumentuar se përvoja e tij në biznes e ndihmon të drejtojë vendin. Ajo vlerësoi gjithashtu qëndrimin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe angazhimin për të mbështetur kandidatët republikanë në zgjedhjet e mesmandatit.
Cheung e shoqëroi videon me një mbishkrim që ndezi rrjetet sociale: “Zonja dhe zotërinj, mendoj se mund ta kemi gjetur sekretaren e re të shtypit të Shtëpisë së Bardhë!”

