Një sërë dokumentesh arkivore të zbuluara herë pas here ngre dyshime të forta që Adolf Hitleri mund të ketë vrarë mbesën e tij, e cila u gjet e vdekur në apartamentin e diktatorit në Mynih, në vitin 1931, ngjarje që u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje. Angela ‘Geli’ Raubal, 23 vjeçe, u gjet e vdekur me një plagë arme zjarri në gjoks, ndërsa arma ishte një pistoletë që i përkiste Hitlerit.
Dokumentet zyrtare tregojnë se Hitleri – i cili po fitonte famë, por ende nuk e kishte marrë pushtetin në Gjermani – ishte larguar nga Mynihu për në Nuremberg një ditë para vdekjes së mbesës, një afat kohor që do të vërtetonte se ai nuk mund të kishte qenë i përfshirë në vdekjen e saj.
Por historiani gjerman, Harold Sandner, thotë se ka zbuluar një detaj në regjistrin zyrtar të vdekjeve të Mynihut që jep datën dhe orën e zbulimit të trupit të Raubal, dhe që është pikërisht ora 10:15 e mëngjesit më 18 shtator 1931. Dy njoftime vdekjeje të gjetura në arkiva gjithashtu e mbanin atë datë. Nëse këto të dhëna janë autentike, ato do ta vendosnin vdekjen e Raubal rreth 24 orë më herët se sa besohej më parë, çka tregon se Hitleri ka qenë në Mynih kur u zbulua trupi i pajetë i të resë, shkruan CNN. Të dhënat zyrtare tregojnë se ai nuk u nis për në Nuremberg deri pasditen e 18 shtatorit.
Sipas historianit Sandner, të dhënat kontradiktore tregojnë për një mbulim të mundshëm të vrasjes nga zyrtarë të policisë, mbështetës të Partisë Naziste të Hitlerit. Gjetjet e historianit u botuan për herë të parë nga revista gjermane e lajmeve Der Spiegel dhe do të detajohen në librin e tij të ardhshëm, “Vdekja e Angela ‘Geli’ Raubal: Vetëvrasje apo lojë e ndyrë?”, që pritet të publikohet muajin e ardhshëm.
Thomas Weber, një ekspert mbi Gjermaninë naziste, dhe që e njihte prej shumë vitesh Sandner, i tha CNN se historiani është “jashtëzakonisht i përpiktë” dhe se dokumentet e tij janë të besueshme.
Shumë historianë besojnë se Hitleri ishte i dashuruar me Raubal dhe se sjellja e tij ndaj saj ishte bërë intensivisht kontrolluese dhe posesive. Pak para vdekjes së saj, Hitleri dhe Raubal besohet se kanë debatuar për dëshirën e saj për t’u larguar nga Mynihu për në Vjenë, për të ndjekur studimet muzikore. Të dhënat e zbuluara rishtazi nuk e zgjidhin misterin se si vdiq Raubal.
Megjithatë, ato rihapin pyetje që kanë vazhduar për gati 100 vjet rreth asaj që ndodhi saktësisht brenda shtëpisë së tij në Mynih ditën e vdekjes së saj. Top Channel

