Lajme Zone
Dokumentet sekrete të CIA-s: Në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Enver Hoxhës, mbizotëron në rreth 80% të popullatës
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Dokumentet sekrete të CIA-s: Në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Enver Hoxhës, mbizotëron në rreth 80% të popullatës

Gjendja e rëndë ekonomike në vend, mungesa e prestigjit e liderëve politikë e ushtarakë dhe sigurisht një urrejtje e gjerë e sllavizmit në përgjithësi. Shumica e rezistencës aktive gjendet në zonat malore qendrore e veriore, mes gegëve katolikë, të cilët i konsiderojnë rivalët e tyre Toskë, si përgjegjës të tokave të Jugut.

Memorie.al/ Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk e donin Enver Hoxhën në krye të vendit. Kjo është bërë e ditur në një dokumenti të publikuar nga CIA, ku thuhet se rreth vitit 1948, 80% e shqiptarëve nuk pajtoheshin me regjimin komunist. Aty thuhet se lufta ndaj fesë, situata ekonomikë dhe dora e hekurt e regjimit, kishte sjellë pakënaqësi të madhe në popull. Për këtë arsye në Veri dhe Jug të vendit, ishin ngritur një sërë grupesh guerile, që punonin kundër regjimit. Sipas CIA-s, tentativat e tyre për rrëzimin e Hoxhës ishin shumë të vështira, kjo sepse baza materiale, armatimet që ishin ishin shumë të vjetra e mundësitë e tyre, ishin të pamjaftueshme. Nga ana tjetër ata që ishin në Veri, ishin më ndryshe, pasi në disa raste ndihmoheshin me armatime dhe bazë materiale, dhe nëpërmjet territorit të Jugosllavisë së asaj kohe. Pakënaqësia ndaj Hoxhës Informacionet mbi masën dhe cilësinë e rezistencës guerile në Shqipërinë komuniste, janë të vështira për t’u gjetur, po aq sa dhe ato mbi regjimin. Por informacionet kanë pasur një rritje kohët e fundit, kështu që mund të përcaktojmë një rrjedhë të përgjithshme. Në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Hoxhës, mbizotëron në rreth 80% të popullatës. Faktorët që bëjnë të mendosh këtë, janë shtypja ndaj rezistencës tradicionale të zonave malore, persekutimi i regjimit ndaj të gjitha besimeve fetare. LEXO EDHE:Tre metra i gjatë, skeleti i nanotiranit shitet për 47.3 milionë dollarë në ankand në Nju Jork Gjendja e rëndë ekonomike në vend, mungesa e prestigjit e liderëve politikë e ushtarakë dhe sigurisht një urrejtje e gjerë e sllavizmit në përgjithësi. Shumica e rezistencës aktive gjendet në zonat malore qendrore e veriore, mes gegëve katolikë, të cilët i konsiderojnë rivalët e tyre Toskë, si përgjegjës të tokave të Jugut. Kështu që faktorit negativ të antagonizmit mes policisë sekrete të regjimit dhe komuniteteve fisnore, i është shtuar faktori pozitiv i armiqësisë etnike. Raportet aktuale i referohen vetëm përciptas rezistencës në Jug të Shqipërisë. Asnjë prej raportimeve mbi këto grupe, nuk flet për armët që ata zotërojnë, por supozohet të përdorin mjete të vjetra si mushqeta, ose disa armë të lehta perëndimore të mbetura nga lufta. Municionet gjithashtu besohet të jenë të pakta. Për ushqim, grupet guerile pa dyshim mbështeten në dashamirësinë e njerëzve të malit. Në këto rrethana duket se me shumë gjasa rezistenca kundër regjimit është e kufizuar vetëm në veprime ngacmuese, pa pasur mundësi të kontrollojnë territore apo qendra komunitetesh. Rezistenca në Diasporë Të gjithë anëtarët e mbijetuar të klasave të mesme e të larta të Shqipërisë, tashmë janë larguar nga vendi. Grupet përbëhen nga tregtarë, artizanë, profesionistë dhe disa pronarë tokash. Shumica e tyre është detyruar prej bashkëpunimit, disa më pak e disa më shumë, me gjermanët, gjatë luftës; shumica e tyre mbeten në Evropë dhe jetojnë në varfëri, ose me ndihma bamirësie. Qendra të shqiptarëve të larguar janë krijuar në Itali, Greqi, Egjipt dhe në SHBA-ës. Me përjashtim të atyre në SHBA-ve, të emigruarit ndahen kryesisht në tre grupe politike: Zogistët apo Legaliteti, i cili gjendet në Kajro rreth vetë Mbretit Zog, i krijuar në vitin 1943 nga aktivisti gegë, Abas Kupi. Kurse ‘Balli Kombëtar’, ka shumicën e anëtarëve në Itali, të përhapur edhe në Greqi dhe më pak në Lindjen e Afërt, i themeluar në vitin 1942, nën kryesimin e Mit’hat Frasheri. Ndërsa, “Blloku Kombëtar Indipendent”, është një grupim republikan, anti-Italian, kryesisht i majtë e reformist, fuqimisht anti-komunist, i themeluar në Itali më 1947 nga kolaboracionistët e fashizmit, me në krye Ismail Verlaci, bir i ish-kryeministrit … Shefqet Verlaci. Grupi ka natyre konservatore dhe kapitaliste. Megjithëse “Balli” dhe “Blloku” botojnë gazeta në Itali, asnjë prej tyre nuk përballon dot një botim të rregullt. Ka gjithashtu një broshurë liberale shqiptare në Londër nga Tajar Zavalani dhe Dervish Duma, me disa ndjekës në Turqi; kemi edhe një Komitet të Kosovarëve të drejtuar nga Xhafer Deva. Deri në ndarjen e Titos nga Cominform (Zyra e Informacionit të vendeve Komuniste) në vitin 1948, tre grupet kryesore, megjithëse kishin të përbashkët urrejtjen ndaj regjimit të Hoxhës dhe ndaj pretendimeve territoriale greke në Jug, ishin vazhdimisht antagonistë ndaj njëri-tjetrit, dhe çështja institucionale ishte pika kryesore e debatit mes tyre; republikanët e “Ballit Kombëtar” propozonin se sipas rezultateve të referendumit pas çlirimit të vendit nga komunistët, nj qeveri që përfaqësonte çdo grup të vinte në pushtet. Blloku Kombëtar Indipendent kishte simpati për Monarkinë, vetë monarkistët kërkonin rikthimin e Zogut, por linin të kuptohej se pranonin referendumin. “Balli Kombëtar” Të tjera çështje ishin programi reformist i “Ballit”, që nginte dyshime të dy grupet e tjera, apo dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës që kishte grupimi i Zogut. Liderët e “Ballit” dhe të “Bllokut” mund t’i toleronin këto çështje për momentin. Ishin gjithashtu përplasjet e karaktereve që ndalonin bashkimin e grupeve. Gjatë viteve 1947 e 1948, Zogu tregoi iniciativa drejt bashkimit, dhe propozoi formimin e një Komiteti të Çlirimit Kombëtar, me kusht që të gjithë të pranonin: 1. Mbajtjen e referendumit pas njohjes së qartë nga liderët e tre grupeve, të kushtetutës së vitit 1928, ku Shqipëria njihej si Monarki; Që liderët e grupeve të punonin për rivendosjen në Shqipëri të të larguarve, pas çlirimit të Shqipërisë. Të ndalohej propaganda anti-Zog mes refugjatëve. Pika e parë dhe pika e tretë, duket qartë që nuk ishin realiste, kurse e dyta u konsiderua si një tentativë e Zogut për të sjellë të gjithë refugjatët në një zone, në mënyrë që ai t’i kontrollonte. Thuajse në të njëjtën kohë, Zogu dërgoi përfaqësues në ambasadën amerikane në Kajro, për të deklaruar qëllimet e tij miqësore në lidhje me Greqinë. Të dërguarit thanë se Zogu ishte gati të formonte “Qeverinë e Lirë Shqiptare”, nga e cila do të përjashtoheshin refugjatët që kishin bashkëpunuar me fashistët he gjermanët. Ata thanë gjithashtu se Zogu ishte i përkushtuar ndaj parimit të referendumit. Më tej u fol për ndërmjetësimin britanik e amerikan, në debatet greko-shqiptare, por përpjekja e Zogut dështoi, se ministri grek në Romë po diskutonte me Frashrin dhe ndjekësit e tij; domethënë kur Zogu kuptoi se nuk do të kishte kontroll të plotë të lëvizjes së bashkuar të diasporës. 21 gusht 1950 Situata e rezistencës në Shqipëri Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë, në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej Veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Me gjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë. Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë, duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950, misioni ynë në vend dërgoi një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar, që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin. Lëvizjet e jugosllavëve Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve, do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë, duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte. Plani për zgjedhjen e qeverisë së re Të zgjidhen liderët e rëndësishëm për të organizuar qeverinë e përkohshme dhe forcën e policisë në Shqipërinë e lirë. Sapo të sigurohet vendosja e qeverisë, të instalohen zyrtarët e rëndësishëm për të krijuar strukturën fillestare të qeverisë së përkohshme. Të njoftohet vendosja e pushtetit të qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Me anë të bërthamave të krijuara paraprakisht, të zgjerohet rezistenca e brendshme dhe të fuqizohen elementet e qeverisë qendrore dhe atyre rajonale. Përpara ditës së sulmit të zhvillohen njësitë e rezistencës dhe elementë të brendshëm për qeverinë e përkohshme. Për to të merret inteligjencë e detajuar operacionale. Të gjitha operacione e para ditës së sulmit të kompletohen paraprakisht nga selitë e përbashkëta. Komandat dytësore të përgatisin planet e tyre dhe t’i dorëzojnë te selia e përbashkët e komandës, për aprovim. Qëllimet e Komitetit për “Shqipërinë e Lirë” – Të drejtojë dhe të inkurajojë njerëzit tanë trima për rezistencë ndaj regjimit mizor komunist dhe të organizojë në mënyrë efektive shqiptarët jashtë shtetit, në ndihmë të rezistencës. Njerëzit tanë në Shqipëri duhet të bëhen të vetëdijshëm për opozicionit mbarëbotëror ndaj shtypjes komuniste dhe për fuqinë në rritje të kombeve me zgjedhje të lira parlamentare. – Të gjitha aktivitetet e Komitetit drejtohen ndaj rivendosjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë. – NCFA është e vetëdijshme për përgjegjësinë e madhe që merr mbi vete për llogari të popullit shqiptar dhe kërkon ndihmën e kombeve të lira dhe shteteve demokratike. – NCFA publikon gjithashtu një gazetë në gjuhën shqiptare, “Shqipëria”, e cila ka një tirazh prej thuajse 4.000 kopjesh. Ajo publikohet një herë në dy javë në New York, dhe kopjet e “Shqipëria” u dërgohen shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Angli, Australi, Greqi, Itali e Turqi. Letra e emigrantëve me rastin e Pavarësisë Shtatë vjet më parë Shqipëria humbi pavarësinë e saj të fituar me shumë luftë, duke rënë nën regjimin e komunistëve dhe liderit të tyre kukull, Enver Hoxha. Kjo lëvizje e komunistëve la një shenjë të keqe në vendin që prej 2000 vjetësh ka luftuar për të fituar pavarësinë. Kjo shënon gjithashtu humbjen e lirisë së fituar në ditën e pavarësisë së vendit, që ishte më 28 nëntor 1912. Në atë ditë, në mes të luftërave ballkanike, një grup fisnikësh të mbledhur në Vlorë, lëshuan deklaratën e pavarësisë. Me këtë akt këta njerëz bënë një hap madhor duke vazhduar trashëgiminë e heroit tonë kombëtar, Skenderbeg, i cili luftoi me fisnikëri për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e 15-të kundër hordhive pushtuese turke, duke shënuar një prej periudhave më të lavdishme të vendit. Nga kjo fitore vjen dhe flamuri i Skënderbeut, që tashmë është emblema jonë kombëtare, ajo e shqiponjës me dy koka. Ja biseda e majorit amerikan me agjentin e CIA 19 gusht 1953- unë u takova me major – gjeneral Elmer J. Rogers, i USAF, anëtar i Komitetit të Përbashkët të Vëzhgimit të JCS, me kërkesën e tij, për të diskutuar dokumentin e fundit të agjencisë sonë mbi Shqipërinë. Dokumenti është referuar për komente te degët e PBS e JCS. Biseda ishte kryesisht një diskutim i propozimeve të fundit për ndarjen e mundshme të Shqipërisë nga orbita sovjetike. Ramë dakord se dokumenti në formën e tij aktuale dhe në rrethanat aktuale, ishte me rëndësi për Shtetin dhe CIA-n, dhe se interesi ushtarak do të ishte minimal, deri në kohën që negociatat diplomatike të kishin avancuar përtej pikës aktuale të zhvillimeve. Gjenerali Rogers tha se nga pikëpamja krejtësisht ushtarake, ndarja e Shqipërisë nga orbita do të kishte avantazh shumë të vogël strategjik, por përfitimet psikologjike do të ishin të konsiderueshme. Ai foli gjithashtu për dy pika: (a) megjithëse shkëputja e Shqipërisë nuk do të ishte nj shkak lufte për Bashkimin Sovjetik, ky veprim do të nxiste hakmarrjen e tij në elemente të tjera, dhe (b) një tentativë e pasuksesshme për shkëputjen e Shqipërisë, do të kishte pasoja serioze psikologjike dhe diplomatike në Evropën Perëndimore dhe tjetër kund. Dokumenti i britanikëve dhe CIA Pas disa takimeve ne dhe britanikët hartuam një dokument ku përshkruhej një rrugë e pranuar e veprimit: kjo ishte dominimi i grupit të Ermenjit në përpjekjet për sheshimin e diferencave me disidentët dhe zgjidhjet e problemit me “Ballin”. Nëse kjo dështonte, duhet të merren në konsideratë hapa të tjerë. Pak më vonë në Romë Hasan Dostit iu dha një “notë verbale”, ku thuhej se; pikëpamja e përbashkët anglo-amerikane, ishte veprimi në dy rrugë: Ose të pranonte përfshirjen e përfaqësuesve të disidentëve në komitetin ekzekutiv të NCFA, ose të bënte një kompromis me ta brenda “Ballit”. Balli zgjodhi alternativën e dytë dhe na dha një deklaratë të shkruar ku thuhej se do të merrnin hapa të shpejtë për arritjen e ri këshillimit të dëshiruar. Gjithsesi diskutimi i metodave që ata do të përdornin, tregonte se “Balli” vetëm sa po plotësonte detyrimin për të folur mbi idenë e ri këshillimit./ Memorie.al R.Xh/Shqiptarja.com TAG: enver hoxha CIA komunizmi balli kombetar SHBA Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

26 Tetor, 10:21

Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 74.7% Jo 22.2% Nuk e di 3% Vota total: 3279 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 26 Tetor, 10:21 Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?