Një 29-vjeçar është arrestuar në Kamëz gjatë operacionit policor të koduar “LAST DRIVE II”, pasi dyshohet se transportonte me automjet një pistoletë me qëllim shitjen e saj. Gjatë kontrollit të makinës që drejtonte Ervis Cara, banues në Krujë, policia gjeti armën e zjarrit brenda një çante, si dhe një bllok shënimesh. Sipas policisë, i riu rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e 29-vjeçarit, ku u zbulua një armë gjahu pa leje, së bashku me 50 fishekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pistoleta, arma e gjahut, municionet, automjeti, një celular dhe blloku i shënimeve, ku dyshohet se ishin regjistruar të dhëna për shuma të ndryshme parash.
Ndërkohë, ndaj të arrestuarit ka nisur edhe një hetim pasuror, për të verifikuar burimin e pasurisë dhe të ardhurave të tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

