Në adresën e Kryesisë së Kuvendit ka mbërritur një e-mail kërcënues për vendosjen e eksplozivit në këto ambiente. Burime nga Kuvendi i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se janë njoftuar autoritetet përkatëse dhe pritet të mbërrijë njësia antieksploziv. Gazetaret e Top Channel, Dorjana Bezat dhe Kristi Gongo, bëjnë me dije se në e-mail shkruhet: “Në institucionin tuaj, në pak minuta do të shpërthejë një bombë. Do jetë e tmerrshme ajo që do ndodhë”. “Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh, që mban simbole iraniane. Kërcënimi me e-mail është bërë në rreth 140 adresash institucionesh në vend. Top Channel

