Kryeministri Edi Rama, në një dalje në rrjetet e tij sociale, ka dhënë detaje lidhur me diskutimet në mbledhjen qeveritare në Pogradec.
Rama u shpreh se në takim janë përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor, por fokusi ka qenë më shumë te shëndetësia dhe arsimi.
Ndër të tjera, ka bërë me dije se qeveria do të prezantojë dhe një plan transparence për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë. “Kemi përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor. Jemi përqendruar më shumë te shëndetësia dhe arsimi. Jemi përqendruar dhe te krijimi i një zinxhiri i cili do të jetë zinxhiri i një Shqipërie sociale. Kemi folur për çmimet. Kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë. Plan që do ta prezantojmë në momentin kur të jetë i konsoliduar në detaje. Ashtu sikundër një sërë komponentësh të tjerë të programit. Gjithë sa ka ndodhur në këtë periudhë ka gërryer një shtrat të një lumi të qeverisjes dhe të raportit të qytetarit me shtetin, qeverisjen. Por jam i bindur që në gjithë këtë vorbull, ata që do të dalin më të fortë do të jenë shqiptarët dhe qeveria e tyre, sepse qeverisja do të përmirësohet", tha kryeministri. Gjatë fjalës së tij, Rama foli edhe për protestat, ku tha se ishte ajo e ditëve të para, protesta e cila sfidoi qeverinë, dhe jo kjo që, sipas tij, po zhvillohet aktualisht. “Ka qenë e vërtetë një dhuratë ajo që ka ndodhur, për të fituar atë që na ka munguar për një kohë të gjatë. Nuk kemi pasur asnjëherë opozitë që të na sfidojë realisht, ajo protestë që ndodhi na sfidoi, jo kjo që vijon aktualisht. Kjo më ngjan me ato jashtënxjerrjet e opozitës së asgjësuar. Flas për protestën që, për sa kohë ishte qytetare, i bashkoi nevoja për të thënë ne meritojmë më shumë. Dua të mos harroni që Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë dhe më e vlerësuar ndërkombëtarisht dhe e mbështetur në mundësi reale për të bërë më shumë, sepse Shqipëria nuk ka qenë më në shitje”, tha Rama. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

