Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Do bërtas sepse nuk ka ilaçe, është krim”, Osman Stafa sqaron “shtet-rrethimin” e QSUT dhe ndalimin për t’i bërë pyetje kryeministrit: Më erdhën civilë e policë…


Gazetari Osman Stafa ka rrëfyer në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24 at “shtet-rrethimin” gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në QSUT, duke pretenduar se u pengua nga persona civilë dhe punonjës policie teksa tentonte t’i bënte një pyetje për mungesën e medikamenteve në Spitalin Onkologjik.

Gazetari Osman Stafa ka rrëfyer në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24 at “shtet-rrethimin” gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në QSUT, duke pretenduar se u pengua nga persona civilë dhe punonjës policie teksa tentonte t’i bënte një pyetje për mungesën e medikamenteve në Spitalin Onkologjik. Stafa tha se shkon pothuajse çdo ditë në QSUT dhe spitale të tjera për të ndjekur problematikat dhe denoncimet e pacientëve. Sipas tij, arsyeja që shkoi atë ditë ishte vizita e kryeministrit në kardiokirurgji, pasi donte ta pyeste drejtpërdrejt për situatën e pacientëve me sëmundje onkologjike. Ai tha se mungesa e medikamenteve mund të ndikojë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve dhe se përgjegjësia për sigurimin e tyre, i takon shtetit dhe institucioneve shëndetësore. “Protokollet e thonë fare qartë. Në momentin që një individ nuk merr medikamentin sipas protokollit, sipas linjës që përcakton mjeku, sëmundja avancon, progreson, çon në fatalitetin e atij personi dhe përgjegjës për sigurimin e medikamenteve të atyre pacientëve është shteti shqiptar, Ministria e Shëndetësisë, kushdo tjetër”, u shpreh ai. Stafa u ndal edhe te godina e re e kardiokirurgjisë, për të cilën tha se ishte premtuar se do të ishte gati për pacientët në qershor të vitit 2025. Sipas tij, nga premtimi i bërë në janar 2025 deri në tetor 2026, afati ka kaluar. Ai tregoi se kishte shkuar me kamerë dhe mikrofon për t’i bërë një pyetje Ramës lidhur me pacientët që, sipas tij, po përballen me mungesën e medikamenteve. “Unë kisha një kamerë, ajo është arma ime, me një kamerë dhe me mikrofon, isha gazetari i vetëm aty për ta pyetur kryeministrin: A është krim kundër njerëzimit lënia e pacientëve që vuajnë nga kanceri pa medikamente? Vetë kryeministri, në momentin që u publikuan ata mjekët që trafikonin një pacient në spitalet private, tha përpara mjekëve ‘krim kundër njerëzimit’. Po lënia pa medikamente çfarë është?”, u shpreh Stafa.

Sipas tij, Rama i dëgjoi pyetjet, por nuk zgjodhi të përgjigjej. Stafa tha se, ndërkohë, në ambientet e QSUT-së ishin vendosur masa të forta sigurie dhe familjarët e pacientëve nuk lejoheshin të hynin në spital gjatë vizitës së kryeministrit. Gazetari pretendoi se ndaj tij u afruan persona civilë dhe punonjës policie, të cilët i kërkuan të largohej nga perimetri ku ndodhej. Sipas Stafës, kjo e pengoi në ushtrimin e funksionit të tij si gazetar. “Më vijnë civilët, më vijnë persona me uniformë policie të shtetit. ‘Largohu ti’. Po unë çfarë po bëj? Në qoftë se ti mua më largon, unë e kam të pamundur ta bëj pyetjen. Pra, ti po më pengon mua në ushtrimin e funksionit tim si gazetar”, deklaroi ai.

Stafa shfrytëzoi edhe faktin që tetori është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit, duke bërë thirrje për kontrolle dhe diagnostikim të hershëm.

“Ftoj çdo nënë, çdo grua për të bërë diagnostikimet. Nuk i kushton aspak asgjë, por shpëton jetë, sepse kanceri i gjirit është ndër kanceret që trajtohet dhe sidomos po u kap në kohë”, u shpreh Stafa.

Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin për premtimet e bëra për pacientët e Onkologjikut dhe tha se ata që trajtohen në këtë spital janë ndër kategoritë më të pambrojtura, pasi jo të gjithë kanë mundësi financiare të marrin trajtim jashtë vendit.

“Një kryeministër i përgjegjshëm përgjigjet. Vetë ky kryeministër në vitin 2025 u ka premtuar me zë dhe figurë qytetarëve shqiptarë se ne me 83 mandatet tona do t’u dalim zot atyre pacientëve në Spitalin Onkologjik. Po tani si mundet një kryeministër të mos mbajë fjalën ndaj atyre njerëzve që janë hallka më e dobët?”, deklaroi Stafa. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: kryeministri Osman Stafa QSUT