Gazetari Osman Stafa ka ngritur shqetësime për gjendjen e shërbimeve shëndetësore në vend, duke u ndalur te mungesa e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, por edhe te rastet e korrupsionit që, sipas tij, ndodhin në spitale. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, Stafa tha se problematikat nuk janë të kufizuara vetëm në Tiranë, por shfaqen në spitale në të gjithë vendin.
Një prej çështjeve që ai ngriti ishte PETSCAN, për të cilin tha se Shqipëria ka pasur mungesë të zgjatur të kësaj pajisjeje dhe se pacientët që kanë nevojë për ekzaminimin përballen me vështirësi. “Është një pajisje që ka 20 vite që mungon, është shumë jetike. Është tej mase e vonuar. Po ata pacientët që kanë sot nevojë për PETSCAN, si do ia bëjnë? Po luftojnë me kancerin ata”, deklaroi Stafa. Ai u ndal edhe te brakiterapia, duke argumentuar se bëhet fjalë për një trajtim që, sipas tij, nuk mund të zëvendësohet lehtësisht. “Brakiterapia është për gratë dhe është jetike. Nuk e zëvendëson dot asgjë. O luftohet kanceri gjinekologjik, ose ti e lë pa brakiterapi dhe sëmundja rikthehet në një mundësi shumë të lartë”, tha ai, duke iu referuar protokolleve dhe praktikave mjekësore. Stafa kritikoi gjithashtu mënyrën e organizimit të disa shërbimeve, duke përmendur trombektominë dhe urgjencat spitalore. Sipas tij, në disa raste shërbimet nuk janë të disponueshme gjatë gjithë kohës, ndërsa urgjencat në QSUT dhe në shërbime të tjera përballen me mbipopullim.
Ai solli si shembull edhe spitalin e Prrenjasit, ku sipas tij mungojnë analizat laboratorike, duke i detyruar pacientët të drejtohen te shërbimet private ose në qytete të tjera.
Në të njëjtën kohë, ai bëri një dallim mes mjekëve që, sipas tij, përpiqen të ndihmojnë pacientët dhe atyre që i akuzon për abuzim me ta.
“Ka shumë mjekë të cilët janë tejet njerëzorë, bëjnë punën e tyre, i ndihmojnë njerëzit, i diagnostikojnë, përpiqen maksimalisht. Madje po ta them, ke edhe mjekë të cilët nga turpi i madh që kanë në raport me pacientin u blejnë edhe ilaçet”, tha ai.
Stafa pretendoi se disa mjekë të rinj janë detyruar të blejnë me paratë e tyre medikamente dhe materiale bazë për pacientët, si serumet, antibiotikët, vigonat dhe leukoplastet, për shkak të mungesave në spitale.
“Po a dalin dot ata, i blejnë çdo pacienti ilaçe? Çfarë të blejnë, serum, antibiotikë, gjëra të cilat janë? Blejnë vigona, blejnë leukoplaste”, deklaroi Stafa.
Ai tha se beteja e tij publike nuk është kundër mjekëve në përgjithësi, por kundër rasteve kur, sipas tij, pacientët përballen me kërkesa për para apo orientohen drejt klinikave private.
“Unë e them dhe e ndaj në dy kategori. Beteja ime nuk është ndaj mjekëve, në kuptimin për t’i sulmuar ata. Unë pretendoj të jem ndihmues për ta, për nevojat që ata kanë, përderisa ata nuk i thonë dot sepse kanë pasoja. Dhe kam betejë ndaj atyre mjekëve të cilët i torturojnë pacientët, i zhvasin, nuk i japin shërbimin, por i shikojnë nga xhepat”, tha ai.
Stafa pretendoi se ka marrë mesazhe nga pacientë dhe familjarë që denoncojnë raste të tilla. Sipas tij, disa prej tyre kanë pretenduar se u janë kërkuar para për vizita, ekzaminime apo ndërhyrje, ndërsa të tjerë janë orientuar drejt klinikave private.
“Kam pafund mesazhe për pazaret, për formën se si ua marrin paratë, për mënyrën se si i frikësojnë për t’i çuar në privat apo për t’i çuar në klinikat e tyre”, deklaroi Stafa.
Ai përmendi edhe raste ku, sipas tij, pacientëve u janë kërkuar pagesa për shërbime në Onkologjik, ndërsa pretendoi se edhe disa teknikë që punojnë me aparaturat diagnostikuese marrin pagesa nga pacientët.
Stafa solli më pas një rast konkret që, sipas tij, i është rrëfyer nga qytetarët. Ai tha se bëhej fjalë për një paciente nga Shqipëria e mesme, familjari i së cilës kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale.
“Një qytetare nga një zonë e Shqipërisë së mesme shkon, bën familjari operacion. Shkon pas operacionit, i lë një zarf me 500 mijë lekë aty. ‘Faleminderit’. Del jashtë dhe hap zarfin. Ai e shikon që është 500 mijë lekë. Del jashtë, ia hedh. ‘Ku shkon ti me këto? Këto janë lekë infermierësh, janë lekë sanitarësh’. A mund t’i thuhet një personi kjo gjë?”, tregoi Stafa.
Ai tha se raste të tilla, sipas tij, njihen nga persona të tjerë brenda sistemit, ndërsa theksoi se nuk i konsideron të gjithë mjekët pjesë të këtij fenomeni.
“Shumë mjekëve ua puth dorën për profesionalizmin e tyre. Por në momentin që ti detyron atë pacientin të të japë para se nuk ia bën atë ndërhyrjen, i thua ‘do presësh, rrezikon shumë nëna apo babai yt’, por pastaj ti detyrohesh t’i japësh dhe ai ta bën operacionin, kjo pastaj është e ndyrë, është jo e drejtë, është çnjerëzore dhe kriminale, sepse po bën korrupsion”, u shpreh Stafa. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: mjeket Osman Stafa Pacientët me kancer parate
