Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen tragjike ku një 37-vjeçare nga Mirdita, shtatzënë në muajin e shtatë, humbi jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Gjithçka nisi gjatë natës së të dielës, kur gruaja pati dhimbje të forta barku dhe telefonoi motrën e saj, e cila banonte pranë. Kjo e fundit e mori me makinë dhe e dërgoi në spital.
Me mbërritjen në maternitet, mjekët konstatuan se gjendja e saj ishte kritike. Ajo kishte parametra të ulët jetësorë dhe nuk mund të transportohej pa u stabilizuar. Dyshimet e para ishin për një hemorragji të brendshme.
Pas reanimimit, gjendja u stabilizua përkohësisht dhe rreth orës 04:30 u vendos nisja me ambulancë drejt Tiranës. Gjatë rrugës, në afërsi të Elbasanit, 37-vjeçarja pësoi një përkeqësim të menjëhershëm, pati të vjella dhe më pas nuk reagoi.
Infermierja që ndodhej në ambulancë kërkoi që drejtimi të ndryshohej dhe pacientja të dërgohej urgjentisht në spitalin e Elbasanit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ajo ndërroi jetë.
Motra e 37-vjeçares, e cila ka qenë e pranishme edhe gjatë transportit, pretendon se e afërmja e saj kishte mbërritur e pajetë në spital. Për rastin ajo i është drejtuar Komisariatit nr. 4, ku ka bërë kallëzim.
Trupi i 37-vjeçares është dërguar në morgun e Tiranës, ku pritet të kryhet autopsia mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Hetimet do të përcaktojnë gjithashtu rrethanat e plota të ngjarjes.
37-vjeçarja ishte në pritje të fëmijës së saj të parë. E martuar në Pogradec, ajo priste të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara për t'u bashkuar me bashkëshortin, i cili ishte larguar vetëm pak ditë më parë dhe jeton atje së bashku me familjen e tij.
Udhëtimi drejt SHBA-ve do të ishte i pari për të, por planet u ndërprenë në mënyrë tragjike.

