Një seri tërmetesh janë regjistruar në detin Mesdhe, pranë ishullit të Sicilisë dhe si pasojë një alarm për cunami është lëshuar në Itali. Si masë paraprake, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa shkollave në Palermo dhe Messina.
Sipas të dhënave paraprake, deri në 12 lëkundje sizmike janë regjistruar të premten rreth mesditës, me magnituda që, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, kanë arritur deri në 5.0. Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) ka raportuar një tërmet me magnitudë 5.7, në një thellësi prej 10 kilometrash, në veri të ishullit.
Epiqendra e lëkundjeve ndodhej më pak se 100 kilometra nga Palermo, kryeqyteti i Sicilisë, i cili ka një popullsi prej rreth 648 mijë banorësh.
Banorët kanë raportuar se kanë ndier lëkundjet në disa zona, përfshirë Palermon, Patti-n, Licata-n, Capo d’Orlando-n dhe Campofelice di Roccella-n. Qyteti i Licata-s ndodhet rreth 180 kilometra larg epiqendrës. Sipas autoriteteve, 11 lëkundjet e tjera të regjistruara kanë pasur magnitudë mbi 3.0.
Për shkak të rrezikut të mundshëm, është dhënë një alarm portokalli për cunam, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin zonat bregdetare deri në një njoftim të mëtejshëm. Nuk është raportuar për persona të plagosur apo dëme të shkaktuara. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

